Numri i rasteve të konfirmuara me koronavirus në Shtetet e Bashkuara ka arritur në 11, 10 në shtetin veriperëndimor të Uashingtonit dhe rasti i parë i konfirmuar në Kaliforni. Qeveritë në të gjithë botën po shtojnë përpjekjet për të luftuar virusin që deri më tani ka shkaktuar vdekjen e mbi 3,100 njerëzve dhe ka infektuar mbi 90,000 të tjerë. Në Itali, qeveria vendosi të mbyllë shkollat dhe universitetet për dy javë duke filluar nga nesër në përpjekje për të ndalur përhapjen e virusit. Edhe në Japoni, kryeministri ka urdhëruar që shkollat të mbyllen deri në pushimet e pranverës, ndërsa Koreja e Jugut, Irani dhe vende të tjera po mobilizojnë forcat dhe pajisjet për të filluar operacionet e dizinfektimit.
Numri i të vdekurve në Itali u rrit në 107 të martën, nga 52 një ditë më parë. Që nga mëngjesi i së mërkurën, në Itali ka 2,502 raste të virusit.
Një spital në pjesën veriore të vendit po lëviz pacientët për t’i mbajtur ata me koranavirus të ndarë nga të tjerët.
“Vendi ku ndodhemi është krijuar brenda një ish lavanterie // Spitali Civil po punon për trajtimin e këtyre zonave dhe t’i bëjë ato sa më të sigurta dhe të mbrojtura për pacientët”, thotë Fabio Arrighini, koordinator i agjencisë rajonale të emergjencave.
Të martën, ministrat e financave nga Grupi i Shtatë ekonomive kryesore thanë se do të përdorin politika për të mbështetur ekonominë globale. Por ata nuk diskutuan për masa specifike.
Në një konferencë shtypi në Paris, Ministri Francez i Financave Bruno Le Maire foli për pritshmëritë e tij.
“Ne presim nga të gjitha institucionet evropiane, solidaritet dhe fleksibilitet. Solidaritet, që do të thotë aftësia e secilit prej nesh për të luajtur një rol. Brenda Bankës Qendrore Evropiane, ka burime ekzistuese për të mbështetur financat e bizneseve të vogla dhe të mesme”, tha Bruno Le Maire.
Bisedimet e G-7 vijnë pasi Presidenti i Koresë së Jugut kërkoi fonde për vendin e tij për të ndihmuar furnizimet mjekësore dhe bizneset e vogla që janë goditur ndërsa njerëzit qëndrojnë në shtëpi.
“I gjithë vendi ka hyrë në luftë kundër sëmundjes infektive ndërsa kriza në provincën Daegu dhe Gyeongbuk të Veriut ka arritur pikën më të lartë”, tha Moon Jae-in.
Forcat e Koresë së Jugut janë dërguar në Seul për të dezinfektuar zonat dhe janë hapur qendrat e testimit të shpejtë në makinë të koronavirusit.
Në Iran, banorët janë në gatishmëri pasi autoritetet thanë se planifikojnë të mobilizojnë 300,000 ushtarë dhe vullnetarë. Ndërkohë një qendër tregtare në Teheran kontrollon klientët për koronavirusin e ri.
“Në hyrje të ndërtesës kemi vendosur një pike për të kontrolluar temperaturën e trupit. Gjithashtu po dezinfektojmë dhe sterilizojmë të gjitha dyqanet ushqimore, shkallët lëvizëse dhe ashensorët”, thotë një punonjës i shëndetësisë.
Në Japoni, ndërsa shumë shkolla u mbyllën që nga e hëna në përpjekje për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, nënat që janë në marrëdhënie pune u lehtësuan, pasi u lejuan të sillnin fëmijët e tyre në punë.
Ndërsa numri i rasteve të konfirmuara në disa vende po rritet shpejt, Kina thotë se po sheh një prirje pozitive në lidhje me kontrollin e epidemisë.
“11 raste të reja të konfirmuara dhe 65 të tjera të dyshuara u njoftuan në province të tjera jashtë Hubeit. Nuk ka patur vdekje të tjera dhe pacientët në gjendje kritike janë pakësuar në 25”, Mi Feng zëdhënës i Komisionit Kombëtar të Shëndetit.
Ai shtoi se numri i pacientëve që kanë dale nga spitali në gjashtë ditët e fundit është gati 3,000.
Numri i rasteve të konfirmuara me koronavirus në Shtetet e Bashkuara është 129 ndërsa ai i vdekjeve vazhdon të jetë 9, të gjithë në shtetin veriperendimor të Uashingtonit./VOA/
Top Channel