Vidhte sende te dyert e banesave, policia arreston hajdutin e lagjes në Durrës/ Momenti kur del me biçikletë nga pallati
Kjo hapësirë e madhe pyjore, buzë detit Adriatik në Gjirin e Lalzit, sot do të duhej të ishte një kantier i hapur ndërtimi. Në një sipërfaqe prej 330 mijë metrash katrorë, ishte planifikuar ndërtimi i një resorti luksoz me një investim total që pritej të kapte shumën e 1.2 miliardë dollarëve.
Këtu parashikohej gjenerimi i 1430 vendeve të punës, 1050 prej të cilëve me kohë të plotë. Aty do të ndërtoheshin 5 hotele, 500 apartamente luksozë, akuapark dhe ambiente të shumta rekreacioni.
Por, sot që shihni, aty ka mbetur vetëm rrethimi e asgjë më tepër. Bëhet fjalë për projektin e kompanisë Omnix Albania me pronar miliarderin nga Katari, Jamal Abdulsalam Abu Issa (Xhamal Abdulselam Abu Isa). Kjo, histori, mbart në vetvete një krim brutal ndaj një investitori të huaj, dhe një plan për grabitjen e tokës nga bandat kriminale.
Historia e këtij resorti, u bë e njohur në Shtator të vitit 2016, kur administratori i Omnix Albania, libanezi me pasaportë amerikane Faadi Mitri do të dhunohej barbarisht me sende të forta nga 3 persona, ngjarje që pasoi largimin e tij dhe të kompanisë nga Shqipëria.
Ishte data 9 Shtator e vitit 2016, e njëjta datë që kish vrarë Skerdilajd Konomin 5 vite më parë. Biznesmeni libanezo-amerikan Faadi Mitri i ishte drejtuar aeroportit të RInasit. Ai, ndodhej në një fuoristradë tip Mitsubishi që drejtohej nga shoferi Ervin Mata. Gjatë rrugës, ata ndiqeshin nga një fuorisradë e zezë tip Touareg.
Biznesmenit iu duk i dyshimtë mjeti që i ndiqte dhe i ka fotografuar. Në kryqëzimin e Laknasit, Tuaregu përplas nga pas mjetin e Mitrit. Nga aty dalin tre persona të cilët e dhunojnë barbarisht me sende të forta.
Pas krimit, tre dhunuesit janë larguar me shpejtësi nga zona. Top Story, ka siguruar ekskluzivisht dosjen hetimore ku ndodhen edhe detaje nga dëshmitë e biznesmenit Mitri.
Ai ka thënë pas ngjarjes se sulmi është formë presioni që të ndërpresë investimin te Gjiri i Lalzit. Biznesmeni libanez, u kishte vënë në dispozicion prokurorëve foto të një personi që kishte parë në një prej protestave në vitin 2014 në Gjirin e Lalzit, kundër investimit të tij. Mitri deklaroi se ai person i ngjasonte me një prej dhunuesve. Verifikimet e policisë zbuluan se personi në fjalë ishte i forti i Sukthit, Landi Muharremi, i cili mban edhe emrat Pëllumb Muharremi e Aleksandër Laho. Ai njihet gjerësisht me nofkën Rrumi. Banorët e zonës e njohin si një prej të fortëve që ka siguruar hapësira të mëdha tokash duke përdorur emra të tjerë. Për këtë, askush nuk ka guxuar të flasë.
Rrumi, u shoqërua nga policia pas ngjarjes. Ai pati alibi se atë ditë ndodhej jashtë shtetit. Lidhur me prezencën e tij në protestën e zhvilluar në vitin 2011, kundër investimit të Mitrit, Rrumi tha se ndodhej në plazh rastësisht dhe u bashkua me fshatarët.
Rrumi deklaroi para prokurorit se nuk kishte asnjë konflikt pronësie me biznesmenin e huaj. Ky shtetas u vu në përgjim por nuk u siguruan të dhëna me interes për hetimin e çështjes.
Në datën 17 Mars të vitit 2017, biznesmeni libanez u largua përfundimisht nga Shqipëria ndërsa kompania njoftoi tërheqjen nga investimi. Prokuroria ka vendosur pezullimin e hetimit dhe kthimin e dosjes në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Ne, i jemi drejtuar kompanisë Omnix Albania dhe zotit Faadi Mitri personalisht me një kërkesë për intervistë, por nuk kemi marrë asnjë përgjigje.
Në një dëshmi të dytë të dhënë aso kohe, Faadi Mitri ka përmendur konfliktin e hapur të pronësisë me një banor të zonës të quajtur Pal Seçuni, një kositës bari. Këtu është edhe zanafilla e konfliktit.
Top Channel