Një piano e rrallë që mund të arrijë shifrën e më shumë se një milionë dollarëve në një ankand në Israel, javën e ardhshme, ka një histori po aq të larmishme sa edhe dekorimet e drunjta të kornizës së saj. Udhëtimi 221 vjeçar i pianos së Sienës, nisi në Torino dhe ka përfshirë ndalesa në Paris, Afrikën e Veriut, Nju Jork dhe Tel Aviv.
Moshe Porat, një akordues izraelit pianoje që kishte bërë kërkime për instrumentin, tha për AFP se mënyra se si ishte dekoruar kasa e pianos, me kafshë, lule dhe elementë të tjerë, ishte një kryevepër vizuale.
“Kapitulli i ri do të fillojë shpejt, me një pronar të ri”, tha Porat, duke iu referuar ankandit të planifikuar për të martën, në shtëpinë Winner në Jeruzalem.
Pianoja duket se është ndërtuar nga Sebastian Markizio, një prodhues instrumentesh muzikorë në Torino, në 1799. Ai vdiq para se ta përfundonte punën por pasardhësit e tij kishin çuar në fund misionin në 1825 dhe ia kishin dhënë pianon si një dhuratë martese mbesës së Markizios, Rebekës, që jetonte në Siena. Instrumenti i rrallë, i është nënshtruar disa modifikimeve para se të shfaqej në një panair botëror në Paris dhe që andej të përfundonte në duart e princit të atëhershëm të Italisë dhe mbretit të ardhshëm, Umberto i I. Në rrethana të paqarta, pianoja ra në duart e nazistëve. Por pas betejës së El Alameinit në 1942, pianoja u zbulua në një shkretëtirë. Ajo kish përfunduar në duart e një tregtari izraelit, që e dërgoi në një punishte në Tel Aviv, ku edhe u zbulua se bëhej fjalë për një thesar.
Top Channel