Ambasadori Richard Grenell, i dërguar i posaçëm i presidentit Donald Trump për bisedimet Kosovë – Serbi deklaroi të dielën se heqja e tarifave ndaj mallrave serbe që nga nesër, do të ishte një fillim i mbarë për më shumë përparim.
Ai i bëri këto komente në llogarinë e tij në Twitter, duke i bërë jehonë deklaratës së kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, i cili kërkoi të hiqen tarifat plotesisht, ashtu siç kanë kërkuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Mustafa shkroi në rrjetet sociale se aktualisht “tarifa objektivisht mbetet vetëm si relike e cila po i shërben Serbisë të paraqitet si viktimë në arenën ndërkombëtare dhe disave në Kosovë si mjet i vetëm i një kauze të paqëndrueshme politike.
Askujt nuk i mbushet mendja se Kosova e detyron Serbinë që ta njohë përmes tarifës”. Por ndërkohë, zëvëndeskryeministri i Kosovës, Haki Abazi nuk tregoi shenja tërheqjeje nga ideja e reciprocitetit, çka dëshmon se brenda partnerëve të koalicionit qeverisës, ka mospërputhje lidhur me linjën që do të ndiqet.
Propozimi i Kurtit nuk është mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës të cilat thanë se nuk i përkrahin masat gjysmake dhe se tarifat duhet të hiqen tërësisht, ndërsa BE-ja u shfaq me qëndrim më të butë duke mirëpritur vendimin e kryeministrit.
Top Channel