Kryeministri Albin Kurti nuk ka ndonjë aleat për te avansuar planin e tij për heqjen graduale të tarifës prej 100 për qind ndaj mallrave me origjinë nga Serbia.
Disa parti opozitare kanë paralajmëruar protesta në rast se hapet tregu ndaj fqinjit verior, ndërsa Lidhja Demokratike që është aleate kryesore e Kurtit në qeveri, por edhe presidenti Hashim Thaçi e edhe Shtetet e Bashkuara kanë këmbëngulur që tarifa të hiqet menjëherë meqë vetëm kështu konsiderojnë se mund të krijohen rrethanat për rifillimin e dialogut Kosovë-Serbi.
Edhe një pjesë e analistëve në Kosovë vlerësojnë se masat e paralajmëruara mund ta dëmtojnë rëndë partneritetin me SHBA-në. Ilir Ibrahimi i tha Zërit të Amerikës se Kosova po sfidon durimin e partnerit të vet më serioz strategjik.
“Ne edhe deri këtu nuk mund ta mendonim se do të arrinim pa një përkrahje të tillë të Shteteve të Bashkuara. Nëse e vëmë në pikëpyetje këtë partneritet atëherë ne po e rrezikojmë vendin tonë, po e rrezikojmë të ardhmen dhe po e rrezikojmë shtetin, tha Ibrahimi.Njohësi i çështjeve politike, Rrahman Paçarizi, shprehet se masat e kryeministrit Kurti paraqesin një përpjekje për të dalë nga situata. Megjithatë ekzekutivi kosovar nuk duhet të ndërmarr veprime të cilat e dëmtojnë imazhin e saj edhe ashtu te dëmtuar, si partner serioz kundrulla faktorit ndërkombëtar e mbi të gjitha Shteteve të Bashkuara të Amerikës, thekson ai, ndërsa shton se e gjithë situata rëndohet edhe më tepër nga mungesa e bashkërendimit mes vetë partnerëve të koalicionit qeverisës. Shtetet e Bashkuara kanë ritheksuar përgjatë muajve të fundit se Kosova duhet të heqë tarifat ndërsa Beogradi duhet t’i jap fund fushatës për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës dhe të dyja palët të hapin rrugën për një marrëveshje që do të kishte në thelbin e saj njohjen e ndërsjellë.
Top Channel