Presidenti serb Aleksandar Vuçiç e quajti vendimin e Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti për të hequr pjesërisht tarifat mbi importet serbe si ”përpjekje për mashtrimin e radhës”.
Madje për kreun e shtetit serb, Kurti qëllimisht e kishte njoftuar masën e tij një ditë përpara se Vuçiç të nisej drejt Washingtonit, në mënyrë që t`ia prishte udhëtimin. Presidentit të Serbisë nuk i ka pëlqyer as ideja që taksa të hiqet vetëm për lëndët e para të importuara.“Për të hequr taksën mbi grurin tonë, që e merrni 20 euro më lirë për ton sesa atë nga Maqedonia Veriore, kërkohet që biznesmenët shqiptarë të bëjnë brumë më të lirë. Por, nga ana tjetër, lihen veçant produktet financiare serbe, çokollatat serbe e biskotat serbe, që janë produktet ku serbët mund të fitonin diçka”, ka deklaruar ai.
Vuçiç shtoi se Beogradi kishte pritur para se të komentonte vendimin e Kurtit sepse “ donte të shihte gjithë çfarë hidhej në tryezë, në mënyrë që të bënin vlerësimin e duhur të situatës”. Vuçiç gjithashtu mbështeti ndërhyrjen e Richard Grenellit, i cili tha se SHBA nuk i mbështet gjysëm-masat e Kurtit, duke thënë se tarifat duhet të hiqen plotësisht. Sipas presidentit serb, i dërguari amerikan për dialogun Kosovë-Serbi ka plotësisht të drejtë. Ndryshe nga qëndrimi i SHBA-së, Bashkimi Europian e mirëpriti propozimin e kryeministrit të Kosovës. Peter Stano, zëdhënësi i Përfaqësuesit të lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, tha se “ky hap mund të ketë një efekt pozitiv në rivendosjen e tregtisë rajonale dhe do të ofrojë një hapje për rifillimin e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës të lehtësuar nga blloku europian.
Top Channel