Presidenti rus, Vladimir Putin ka pranuar për herë të parë se i është ofruar mundësia që të ketë dublues për çështje të sigurisë gjatë luftës së dytë të Rusisë kundër separatistëve çeçenë në fillim të viteve 2000.
Pyetjet për mundësinë e ekzistimit të një dubluesi janë shtruar edhe në të kaluarën, mirëpo ai kurrë nuk është përgjigjur drejtpërdrejt.
Në një intervistë për agjencinë e lajmeve TASS, një pjesë e së cilës është publikuar më 27 shkurt, Putin ka thënë se atij i është ofruar kjo mundësi, mirëpo ai e ka refuzuar.
“Kam refuzuar që të kem zëvendësim. Është shqyrtuar në kohën më të vështirë në të luftuarit e terrorizimit”, ka thënë Putin pa ofruar më shumë detaje.
Lufta e Parë Çeçene është zhvilluar në periudhën 1994-1996, duke lënë të vdekur të paktën 30,000 persona. Rusia ka arritur të rifitojë kontrollin e këtij rajoni vetëm pas Luftës së Dytë Çeçene më 1999-2009, konflikt të cilin Moska e ka cilësuar zyrtarisht si operacion kundërterrorizmit.
Putin, fillimisht si president në ardhje, e më pas edhe si president ka vizituar trupat ruse në Çeçeni disa herë.
Ish-zyrtar i Agjencisë Shtetërore të Inteligjencës në periudhën e ish-Bashkimit Sovjetik (KGB) dhe ish-drejtues i Shërbimit Federal të Sigurisë në Rusi, Putin ka udhëhequr Rusinë si president apo kryeministër për më shumë se 20 vjet.
Top Channel