Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka dënuar zhvillimet e fundit në rajonin veriperëndimor të Sirisë, Idlib, duke i quajtur ato një “skandal humanitar”. Duke folur në një konferencë të përbashkët për media me kryeministrin italian, Giuseppe Conte, pas një samiti në qytetin Napoli, presidenti Macron tha se “sulmet e (Bashar al-) Asadit dhe përkrahësve të tij nuk janë luftë kundër terrorizmit, por janë një skandal humanitar”.
Macron tha se shkeljet e ligjit ndërkombëtar humanitar dhe sulmet kundër civilëve janë të papranueshme. Në muajin shtator të vitit 2018, Turqia dhe Rusia u pajtuan për ta kthyer Idlibin në një zonë të deeskalimit në të cilën aktet e agresionit janë të ndaluara. Por, që nga ajo kohë në zonën e deeskalimit armëpushimi vazhdon të shkelet dhe në sulmet e regjimit sirian dhe të forcave ruse janë vrarë mbi 1.300 civilë.
Zona e deeskalimit aktualisht është shtëpi e rreth katër milionë civilëve, përfshirë qindra mijëra të cilët janë zhvendosur viteve të fundit shkaku i forcave të regjimit në të gjithë vendin e shkatërruar nga lufta. Shkaku i sulmeve intensive, mbi 1,7 milionë sirianë janë zhvendosur në afërsi të kufirit turk. Që nga shpërthimi i luftës së përgjakshme civile në Siri në vitin 2011, Turqia ka pranuar rreth 3,7 milionë sirianë që u larguan nga vendi i tyre. Me refugjatët sirianë, Turqia është bërë vend që strehon më shumë refugjatë në botë.
Top Channel