Kodi rrugor, ashpërsohen gjobat/ Ndëshkim shoferëve që shkruajnë mesazhe apo mbajnë telefonin në dorë

27/02/2020 14:53

Gjobat për shkeljet rrugore pritet të ashpërsohen ndjeshëm për drejtuesit e mjeteve kur kanë konsumuar alkool, apo përdorin celularin. Lista e ndryshimeve të kodit rrugor të propozuar nga qeveria është e gjatë.

Për herë të parë është propozuar testi “idioti” për shkelje të rëndë të përsëritur duke detyruar shoferët problematikë t’i nënshtrohen testit psikologjik. Gjoba kur qytetari kapet duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur shkon nga 10 mijë në 40 mijë lekë dhe patenta hiqet minimalisht 3 muaj e deri në 2 vite për rastet më të rënda. Po ashtu, kur drejtuesi i mjetit shkakton aksident dhe rezulton me përmbajtje alkooli më të lartë se 1.5 g/l, i hiqet leja e drejtimit duke zbritur të gjitha pikët. Gjobat janë 30% më të larta nëse shoferët konstatohen me pije alkoolike nga ora 19 e mbrëmjes deri në orën 6 të mëngjesit. Për përdorimin e celularit masat rriten ndjeshëm nga 1 mijë deri në 1500 lekë që është aktualisht, në 5 mijë deri në 15 mijë lekë. Ndërkohë përveç përdorimit duke folur do të ndëshkohet si mbajtja e celularit në dorë, ashtu dhe shkruajtja e mesazheve.

Gjobat për mosdhënien e përparësisë shkojnë nga 5 mijë deri në 8 mijë lekë dhe pesë pikë të hequra nga patenta, ndërsa kur shkelja përsëritet 2 herë brenda vitit, pezullohet leja e drejtimit nga 6-12 muaj.

Edhe për parakalimin e gabuar masat  janë rritur minimalisht 5 herë, kurse ushtrimi i presionit në rrugë me sisteme ndriçuese do të ndëshkohet rëndë, nga 10 mijë deri në 20 mijë lekë dhe 5 pikë të hequra nga patenta. Gjoba ka edhe për mospërdorimin e kaskës në motor apo mosmbajtja e jelekut fosforeshent natën për motoçilklistët.

Top Channel