Vendet ballkanike po përforcojnë masat mbrojtëse nga koronavirusi i ri, i cili ka mbërritur tashmë në rajon.
Një i ri i kthyer nga Milano ishte rasti i parë i prekur nga Covid-19 në Kroaci. Ndërkohë, gjatë natës edhe 9 kroatë të tjerë të cilët kanë punuar në një fabrikë në Itali ku 20 persona rezultojnë të infektuar, u shtruan në një spital të Rijekës, e janë vendosur në izolim, sepse mund të jenë ekspozuar ndaj virusit. Autoritetet kroate këmbëngulin megjithatë se sistemiiI tyre shëndetësor është i përgatitur për sëmundjen, por frika mes njerëzve është e madhe.
Dy qytetarë serbë që ndodheshin në anijen Diamond Princess, e cila është futur në karantinë në Yokohoma të Japonisë që prej 3 shkurtit, janë konfirmuar si të prekur nga koronavirusi. Që të dy serbët e moshave 29 dhe 30 vjeç, janë anëtarë ekuipazhi të anijes ku ndodhen edhe 9 serbë të tjerë, tre nga të cilët kanë zbritur prej saj javën e kaluar. Ministri serb i Shëndetësisë Zlatibor Loncar deklaroi se është realiste të pritet se koronavirusi do të shfaqet dhe brenda kufijve të Serbisë, por këmbëngul se i kanë marrë masat. Si Kroacia, ashtu edhe Serbia i kanë forcuar kontrollet në aeroporte dhe pika kufitare, duke u fokusuar sidomos tek pasagjerët që vijnë nga Italia e Kina.
Ata i kanë këshilluar të gjithë qytetarët e tyre të mos udhëtojnë drejt veriut të Italisë. Bosnje Hercegovina dhe Mali i Zi kanë lëshuar paralajmërime të ngjashme. Nëse njerëzve u duhet të lëvizin në këto zona, atëherë kur të kthehen, do të vendosen nën vëzhgim, deklaroi drejtori i Institutit të Shëndetit Publik në Podgoricë, Boban Mugosa. Ministria e jashtme maqedonase njoftoi se asnjë nga qytetarët e saj që ndodhen aktualisht në Itali nuk janë infektuar, por rekomandoi kujdes me lëvizjet gjatë kësaj periudhe në Lombardi, Veneto dhe Emilia-Romagna.
Top Channel