Duke mohuar përfshirjen e tyre në vrasjen e ish-sunduesit ushtarak të Pakistanit, Gjeneralit Muhamamd Ziaulhaq, dy ish gjeneralë të ushtrisë së Pakistanit kanë dalë me përfundime të ndryshme për arsyet e rrëzimit të avionit. Në një intervistë ekskluzive për AA, Muhamed Ijazulhak, ish-ministri pakistanez dhe djali i Ziaulhaq kishin fajësuar ish-shefin e ushtrisë, gjeneralin Mirza Aslam Beg, ish-këshilltarin e Sigurisë Kombëtare, gjeneralin Mahmood Ali Durrani për komplotin lidhur me rrëzimin e aeroplanit C-130 më 17 gusht 1988.
Përplasja la të vdekur presidentin e vendit së bashku me pesë oficerë ushtarakë dhe ambasadorin amerikan Arnold Lewis Raphel.
Beg tha se ai kishte bërë presion disa herë për një hetim të duhur gjatë mandatit të tij si shef i ushtrisë. Por qeveria nuk i kishte kushtuar vëmendje kërkesave të tij. “Nuk ishte një aksident, por sabotim. Të gjitha indikacionet çojnë drejt kësaj”, tha ai për Anadolu Agency.
Por Durrani, i cili po drejtonte divizionin Multan që priti Ziaulhaq për të parë testin e tankeve amerikane në shkretëtirat Bahawalpur, tha se ai nuk besonte në teorinë e sabotimit.
Të dy këta gjeneralë u shfaqën të ndarë në lidhje me atë se përplasja ishte një “aksident” ose një “sabotim”. Durrani këmbënguli se rrëzimi i aeroplanit ishte thjesht një aksident, që ishte rezultat i një “defekti teknik”. Në lidhje me pretendimet e Ijazulhak në lidhje me rolin e tij në komplot, ish-shefi i ushtrisë Beg tha se ai nuk ndjehet i përgatitur për t’ju përgjigjur pyetjeve. Ai gjithashtu kujtoi se kishte luajtur një rol në kalimin e qetë të pushtetit qeverisë civile.
“Unë isha ai që zhvillova zgjedhjet dhe i dorëzova pushtetin e vendit një qeverie demokratike në vend të imponimit të një ligji ushtarak”, tha Beg duke iu referuar zgjedhjeve të përgjithshme të nëntorit 1988, të cilat u mbajtën vetëm tre muaj pas vdekjes së Ziaulhaq. “Nëse unë do të isha i përfshirë në ndonjë komplot, atëherë çka do të përfitoja unë nga kjo?” pyeti ai. “Unë nuk vendosa ligjin ushtarak, megjithë presionin (nga ushtria). Nuk pranova as zgjatje në mandatin tim si shef i ushtrisë. Atëherë, pse do të përfshihesha në një komplot, nga i cili nuk pata kurrfarë dobie”, tha ai.
Beg shërbeu si shef i ushtrisë nga 1988-1991. Ai, megjithatë, tha se kishte arsye të forta të besonte në përfshirjen e Agjencisë Qendrore të Inteligjencës së SHBA-së (CIA). Duke iu referuar vdekjes së të dërguarit të SHBA-së në aksident, ai tha se CIA e ka përdorur si kurban për t’u fshehur pas tij. Më tej Beg përmendi se në një hetim të brendshëm të kryer nga inteligjenca ushtarake gjatë mandatit të tij kishte ngritur dyshime edhe për rolin e CIA-s. Por ai nuk pranoi të ndajë detaje të mëtejshme të hetimit të brendshëm.
Durrani hedh poshtë teorinë e sabotimit
Por Durrani nuk u pajtua me konkluzionet e Beg-ut. Ai të gjithë teorinë e komplotit e përshkroi si “fëminore”. Ijazulhak në intervistën e tij kishte deklaruar se kishte prova që kutitë e mangos të ngarkuara në aeroplan mbanin eksploziv. Ai gjithashtu pohoi se në kabinën u pompua gaz nervorë për të dëmtuar pilotët, veç kësaj edhe të një projektuesi nga jashtë, për t’i mos lënë asgjë rastësisë. Durrani tha, të gjitha këto teori janë gatuar. “Teoria ime nuk ka asnjë shaka apo thashetheme. Por realiteti është se ishte thjesht një gabim teknik, i cili çoi në atë aksident fatkeq”, tha ai.
“Nuk ishte hera e parë që C-130 kishte pësuar një gabim teknik. Mbaj mend që (C-130) kishte pësuar dy herë gabime teknike në aeroportet Karaçi dhe Chitral (vendpushimin turistik veriperëndimor), disa muaj para rrëzimit. Dhe, unë e kisha shoqëruar atë (Ziaulhaq) në të dyja rastet”, tha ai. Duke përshkruar pretendimet e Ijazulhakit si të pabaza, Durrani, i cili shërbeu në ushtri nga vitet 1961-1998 tha se nuk ishte e mundur të detyrosh presidentin, i cili ishte gjithashtu shef i ushtrisë për të inspektuar testimin e tankeve në terren.
“Ziaulhaq nuk ishte fëmijë, ai ishte presidenti dhe shefi i ushtrisë. Si mund ta detyroja ose ta joshja të shkonte atje ku nuk donte”, tha Durrani, i cili shërbeu gjithashtu si Këshilltar i Sigurisë Kombëtare të vendit nga maji 2008 deri në janar 2009. Ijazulhak gjithashtu pretendonte se Durrani kishte thirrur 16 herë për të bindur babanë e tij që të fluturonte për në Bahawalpur. “Ishte thjesht vendimi i gjeneralit Zia (Ziaulhaq) për të parë testin në terren të tankeve. Kjo ishte vendosur në një takim të komandantëve të korpusit. Kjo është e regjistruar”, tha ai.
Ai gjithashtu nuk pranoi pretendimet se e kishte thirrur Ziaulhaq 16 herë. “Kjo është gënjeshtër. E pata thirrur vetëm dy herë disa ditë para se të vizitonte Bahawalpur”, shtoi ai. Duke akuzuar Ijazulhak për lojë politike, Durrani tha: “Nëse ai (Ijazulhak) do të ishte serioz, ai do të kishte bërë presion për hetime sipas zgjedhjes së tij”.
Ijazulhak ka shërbyer si ministër federal gjatë kohës së ish-Presidentit, Gjeneral Pervez Musharraf dhe ish-Kryeministrit Nawaz Sharif. Durrani, megjithatë, mbështeti kërkesën e Ijazulhak për bërjen publike të raportit të Komisionit të Drejtësisë Shafi-ur-Rehman. “Kjo është për të ardhur keq që jo vetëm raporti i Komisionit të Drejtësisë Shafi-ur-Rehman, por shumë raporte të tjera nuk janë bërë kurrë publike, gjë që përfundimisht lindin teoritë e komplotit. Nëse këto raporte bëhen publike, nuk do të kishte asnjë teori konspirative”, tha ai./AA
Top Channel