Avionët luftarakë rusë, janë duke zhvilluar sulme ajrore ndaj 18 vendbanime civile brenda zonës së deeskalimit të Idlibit. Sipas observatorit ajror të opozitës, avionët luftarakë rusë, që nga orët e mëngjesit janë duke shënjestruar shumë fshatra në jug të Idlibit dhe pjesën perëndimore rurale të Halepit. Sipas informacioneve të Mbrojtjes Civile (Helmetat e Bardhë), nga sulmet kanë humbur jetën 5 persona.

Idlibi në veriperëndim të Sirisë, pothuajse që nga fillimi i luftës së brendshme ka qenë në cilësinë e kështjellës për opozitarët. Në mars të vitit 2015, opozitarët vendosën kontroll mbi Idlibin, popullsia e të cilit është rritur në 4 milionë për shkak të migrimeve të brendshme të fundit në atë zonë. Në të njëjtën kohë, Idlibi është një nga zonat që më shpesh sulmohet nga forcat e regjimit.

Në kuadër të takimit të zhvilluar mes Turqisë, Rusisë dhe Iranit më 4-5 maj 2017 në Astana, u shpallën 4 zona të deeskalimit, përfshirë qytetin Idlib dhe disa zona të qyteteve fqinje rreth tij në (Latakia, Hama dhe Halep), pjesa veriore e qytetit Homs, Guta Lindore në kryeqytetin Damask dhe rajonet Dera dhe Kunejtra në jug të vendit.

Por, forcat e regjimit dhe terroristët me mbështetje iraniane nëpërmjet mbështetjes ajrore të Rusisë duke shkelur armëpushimin, përveç Idlibit morën nën kontroll zonat tjera të mbetura nga 4 rajonet për të cilët ishte vendosur që të ruhej situata e tyre. Si pasojë e sulmeve, qindra mijëra civilë u zhvendosën në veri në pjesët pranë kufirit me Turqinë.

Pasi forcat e regjimit përshpejtuan grumbullimin ushtarak në shtator 2018, Turqia dhe Rusia më 17 shtator 2018 në Soçi arritën një marrëveshje shtesë për të forcuar armëpushimin. Regjimi pas një kohe të shkurtër rifilloi sërish sulmet që kishte ndërprerë, dhe në maj 2019 filloi operacionin tokësor për të marrë nën kontroll të gjithë rajonin.

Ministri turk i Mbrojtjes, Hulusi Akar, në një deklaratë më 10 maj 2019, tërhoqi vëmendjen duke njoftuar se sulmet dhe provokimet në rritje të elementëve të regjimit në jug të Idlibit janë shndërruar në operacion tokësor që nga 6 maji.

Regjimi dhe mbështetësit e tij që nga kjo periudhë si rezultat i sulmeve intensive artilerike dhe sulmeve ajrore, krahas rajoneve të mëdha si Kafranbuda, Khan Shaykun, Maarat al-Numan, Saraqib morën nën kontroll edhe pjesën jugore dhe juglindore të Idlibit, pjesën veriore dhe periferinë lindore në Hama, pjesën jugore dhe periferinë perëndimore të Halepit si dhe shumë vendbanime të tjera.

Që nga Marrëveshja e Soçit më 17 shtator 2018 e deri më tani në sulmet e ndërmarrë në Idlib nga regjimi dhe mbështetësit e tij kanë humbur jetën më shumë se 1.800 civilë. Ndërsa numri i të zhvendosurve që nga janari 2019 e deri më tani ka arritur në 1 milionë e 942 mijë persona./AA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA