Vetëm ditën e djeshme, me dyfishimin e personeleve mjekësore në pikat kufitare, janë vlerësuar dhe kontrolluar 4500 udhëtarë në total, të ardhur nga jashtë, veçanërisht nga Italia, ku koronavirusi ka shënuar viktimat e para., njoftoi ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu.

Manasterliu tha se ministria ka protokollin kombëtar të punës për të përballuar situatën, sipas parametrave dhe udhëzuesve të OBSH-së. Ekspertë të Institutit të Shëndetit Publik, janë ata që trajnojnë bluzat e bardha në të gjitha shërbimet shëndetësore. Ministrja bëri të ditur, se strukturat e kujdesit shëndetësor në të gjithë Shqipërinë janë vendosur në gjendje gatishmërie.

“Sipas parametrave dhe udhëzuesve të OBSH, janë përkthyer në protokolle kombëtare të punës sonë. Në të gjithë protokollin që ne zbatojmë, jemi duke ndjekur situatën. Masat e shtuara kanë të bëjnë me dyfishimin e strukturave tonë në pikat e kalimit kufitar. Po bëhet vlerësim i imtësishëm i të gjithë udhëtarëve, në raport me vendin nga vijnë, për të pasur më pas një gjurmim të çdo rasti.

Po vijon trajnimi kaskadë në të gjithë strukturat e kujdesit shëndetësor në gjithë Shqipërinë, për vendosjen në gjendje të gatishmërisë, për informacionet dhe protokollet e ndjekjes e trajtimit të simptomave të kësaj sëmundje. Jo vetëm po vijon forcimi i kapaciteteve të burimeve njerëzore, por puna ka qenë edhe me strukturat paralele, kufirin, policinë, arsimin”, tha Manastirliu.

Top Channel