Rezultatet paraprake të zgjedhjeve parlamentare të së premtes tregojnë se konservatorët kanë fituar 70 për qind të 290 vendeve në parlament, ndjekur nga të pavarurit me rreth 20 për qind dhe reformistët me 10 për qind.
Megjithatë shumë vëzhgues kanë tërhequr vëmendjen për një pjesëmarrje jashtëzakonisht të ulët të votuesve në shumë pjesë të vendit.
Pamje filmike amatore të transmetuara nga mediat arabe e iraniane tregonin disa persona jashtë qendrave të votimit në Iran tek shpreheshin se zyrtarët zgjedhorë kishin vjedhur zgjedhjet parlamentare të së premtes.
Zëri i Amerikës nuk ka mundur t’i konfirmojë në mënyrë të pavarur pretendimet e tyre, por me dhjetëra video të hedhura në mediat sociale nga gazetarë e qytetarë tregonin një pjesëmarrje tejet të ulët në shumë vendvotime.
Gjithashtu pati disa njoftime në mediat sociale se pjesëmarrja ishte aq e ulët, sa zyrtarët iranianë vendosën që të mos i shpallin përqindjet e saktë të pjesëmarrjes për çdo rajon, por në total për të gjithë vendin. Megjithë pjesëmarrjen në dukje të ulët, media iraniane shfaqi pamje filmike të Presidentit Hassan Rouhani duke pohuar se zgjedhjet e së premtes ishin “një ngjarje e lavdishme në historinë e vendit dhe të revolucionit Islamik”.
Ai shtoi se vendvotimet në të gjithë vendin ishin të lidhura në internet dhe se ai ishte i mahnitur me punën e zyrtarëve zgjedhore.
Por fotot që qarkullonin në mediat sociale, tregonin zyrtarët zgjedhorë në një numër vendvotimesh tek zbraznin kutitë e votimit në dysheme dhe i numëronin ato me dorë.
Ish-presidenti iranian Abolhsan Bani Sadr i tha Zërit të Amerikës se sipas raporteve që ai kishte është parë, më shumë se 80 përqind e iranianëve i kishin bojkotuar zgjedhjet dhe se qeveria nuk priste një reagim kaq të fortë nga publiku.
Ndërkohë zgjedhjet parlamentare të Iranit duket se përkojnë me një rritje të frikës në publik për shkak të shpërthimit të koronavirus në disa qytete të vendit./VOA
Top Channel