Tregut nuk i bën dot moral; çmimin e përcaktojnë oferta dhe kërkesa, por në disa raste, edhe argumentet më të forta ekonomike duhet t`ia lënë vendin humanizmin.

Shëndeti është një prej tyre. Por kjo nuk i ka frenuar abuzimet në Italinë e mbërthyer prej panikut të koronavirusit. Në ditën kur njoftoheshin me dhjetëra raste të infektuara në vendin fqinj, çmimet e një grupi objektesh sanitare kanë mbërritur në stratosferë, thonë mediat vendase. Disa higjenizues në formë xheli që në farmaci shiten 4 euro, në portalin kryesor të shitjeve online kapnin shifrën 200 euro.

Është rritur po kështu dhe çmimi i maskave mbrojtëse, ndërsa edhe dezinfektues të tjerë, nga 4 euro, shiten 26. Ka njoftime edhe se po nisin të vihen re mungesa maskash në treg. Ashtu siç dyshohej gjatë fundjavës, disa farmaci e supermarkete i kishin mbaruar stoqet e tyre të artikujve dezinfektues, megjithatë autoritetet shëndetësore i kanë ftuar njerëzit të ruajnë qetësinë, e thonë se furnizimet nuk do të mungojnë. Ashtu siç ndodhi në Hong Kong, edhe në Dolo të Italisë, me t’u përhapur alarmi i koronavirusit, njerëzit kanë vërshuar nëpër supermarkete për të bërë furnizimin me ushqime, në rast se do të detyrohen të qëndrojnë të mbyllur në shtëpi për një kohë të gjatë.

Paniku nuk ka vonuar t’i mbërthejë banorët e kësaj zone në Itali. Njerëzit thonë se duan të jenë të përgatitur për rastet kur mund të shkohet deri në mbylljen e dyqaneve e qendrave tregtare.

Në Dolo, komunë e Venetos, është regjistruar një rast pozitiv ndaj virusit tek një pacient, i cili gjendet aktualisht në terapi intensive. Ndërkohë është aktivizuar dhe një grup Whatsapp-i ku përcillen lajmet më të fundit mbi virusin, e përmes të cilit qytetarët informohen mbi cdo risi të lidhur më situatën.

 

Top Channel