Një ditë pasi Këshilli i Europës e riktheu Shqipërinë në listën e vendeve gri të pastrimit të parave, ministrja e financave Anila Denaj tha se përgjegjësit kryesor për këtë vlerësim negativ janë prokuroria dhe gjykatat.

Sipas Denajt, qeveria ka rritur numrin e rasteve të zbuluara për pastrim parash, por prokuroria dhe gjykatat nuk i konfiskojnë paratë

“ Ne kemi referuar 30 për qind më shumë raste në prokurori dhe gjykata por nuk kemi asnjë konfiskim dhe dënim”, tha Denaj.

Rikthimi i Shqipërisë në listën e vendeve problematike për pastrim parash u paralajmërua në vitin 2018, pas një raporti i cili e klasifikoi vendin me risk të lartë pastrimi parash. Komiteti moneyval i la qeverisë një vit kohë për të reaguar, por masat e marra gjatë kësaj kohe nuk e kanë bindur këshillin e Europës, i cili një ditë më parë vendosi ta fus Shqipërinë në listën gri.

Ministrja e financave tha se muajt e fundit janë miratuar një sërë ligjesh dhe masash, që do të rrisin konfiskimin e parasë kriminale, përfshirë operacionin forca e ligjit

Shqetësimet se Shqipëria po shndërrohej në një vend me risk të lartë për pastrimin e parave nisën të shtoheshin veçanërisht pas vitit 2015, kur vendi u përball me rritjen e fortë të kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike.

Klodian Tomorri

Top Channel