Grupi i Punës për Veprime Financiare(FATF) e vendos Iranin në listën e zezë

22/02/2020 05:40

Grupi i Punës për Veprime Financiare (FATF) e ka renditur Iranin në listën e zezë, për shkak të dështimit në marrjen e masave kundër pastrimit të parave dhe financimit të grupeve terroriste.

Grupi ndërqeveritarë me qendër në Paris, që mbështet luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, e bëri njoftimin më 21 shkurt. Në një deklaratë, FATF gjithashtu njoftoi se po heq një pezullim të sanksioneve, që e shpalli në vitin 2016, për t’i dhënë Iranit kohë të ndërmarrë reforma.

Pasi bëri të ditur vendimin për Iranin, FATF gjithashtu u bëri thirrje 38 vendeve anëtare “të zbatojnë kundërmasa në mënyrë efektive”. Vendosja në listën e zezë do të thellojë izolimin e Iranit nga tregjet financiare.

Abdolnasser Hemmati, kreu i Bankës Qendrore të Iranit, tha se vendimi i FATF ishte “politik” dhe nuk do të ndikonte në tregtinë e jashtme. Irani dhe Koreja e Veriut janë në listën e zezë të agjencisë.

FATF gjithashtu do të mbajë Pakistanin në “listën gri”. Grupi tha se po i jepte Pakistanit katër muaj shtesë, për të përmbushur normat e financimit të kundër-terrorizmit, duke e mbajtur Islamabadin tani për tani në listën e saj të vendeve që nuk respektojnë në mënyrë të duhur rregullat.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA