Shtetet e Bashkuara kanë sanksionuar pesë zyrtarë iranianë, duke akuzuar ata për parandalim të mbajtjes së zgjedhjeve të lira dhe të drejta, një ditë para zgjedhjeve parlamentare, të cilat po konsiderohen referendum për krizën politike dhe atë ekonomike në këtë shtet.
Departamenti amerikan i Thesarit ka thënë përmes një deklarate se u ka vënë sanksione anëtarëve të Këshillit të Gardianëve dhe Komitetit për Vëzhgim të Zgjedhjeve, për shkak të rolit të tyre në skualifikimin e mijëra kandidatëve. Pas futjes në listë në zezë, këtyre zyrtarëve u bllokohen asetet dhe u pamundësohet bërja e ndonjë biznesi me amerikanë.
Fushata për këtë proces zgjedhor ka përfunduar të enjten. Lideri Suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei ka thënë se votimi është “detyrë fetare” mirëpo disa politikanë të njohur pro-reformave kanë bërë thirrje për bojkot.
“Administrata Trump nuk do të tolerojë manipulimin e zgjedhjeve në të mirë të agjendës së dëshme të regjimit dhe ky veprim shpërfaq këta zyrtarë të lartë të regjimit që kanë tentuar të parandalojnë popullin iranian për të votuar në mënyrë të lirë liderët e tyre”, ka thënë Sekretari amerikan i Thesarit, Steven Mnuchin.
Tensionet në mes të Uashingtonit dhe Teheranit janë përshkallëzuar prej kur Uashingtoni është tërhequr më 2018 nga marrëveshja bërthamore, që Teherani ka nënshkruar me fuqitë botërore më 2015. Përzgjedhja e 290 deputetëve të rinj nuk do të ketë ndikim të çështje të jashtme të Iranit, të cilat përcaktohen nga lideri Khamenei./REL
Top Channel