Shtetet e Bashkuara dhe Britania iu bashkuan të enjten Gjeorgjisë duke fajësuar Rusinë për një sulm kibernetik në shkallë të gjerë vitin e kaluar, që nxorri jashtë funksionit me mijëra faqe interneti si dhe ndërpreu transmetimet e disa televizioneve kombëtare.
Sulmi kibernetit ndaj mediave shtetërore e private ndodhi më 28 tetor. Gjithashtu u sulmua edhe një faqe në internet që i përkiste zyrës së presidentit gjeorgjian si dhe dy stacione televizive private. Ministria e Jashtme e Gjeogjisë tha që sulmi kibernetik, si pasojë e të cilit u hoq nga internet një foto të ish-presidentit gjeorgjian Mikheil Sakashvili, ishte planifikuar dhe u krye nga ushtria ruse.
Sulmi “kishte për qëllim të dëmtonte qytetarët gjeorgjianë dhe strukturat e qeverisë duke prishur e paralizuar funksionimin e organizatave të ndryshme, duke shkaktuar kështu ankth tek publiku i gjerë”, tha zëdhënësi i ministrisë së Jashtme Vladimer Konstantinidi. Në deklaratat mbështetëse Britania e Shtetet e Bashkuara ia ngarkuan përgjegjësinë mbi sulmin posaçërisht një njësie ruse të shërbimit ushtarak të zbulimit e njohur si GRU.
Vitet e fundit vendet perëndimore e kanë akuzuar GRU-në për orkestrimin e një serie sulmesh shkatërruese në internet, përfshirë hakerimin dhe nxjerrjen jashtë funksionit të disa pjesëve të rrjetit energjitik të Ukrainës si dhe dëmtim biznesesh në të gjithë botën në vitin 2017.
Moska i ka mohuar vazhdimisht akuzat. Ministria ruse e Mbrojtjes nuk i është përgjigjur ende kërkesave për komente lidhur me zhvillimet e sotme (e enjte). Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo tha se sulmi ka “prekur direkt popullatën gjeorgjiane, ka ndërprerë operacionet e disa faqeve në internet që i përkasin qeverisë gjeorgjiane apo subjekteve private si dhe ka ndërprerë transmetimin e të paktën dy stacioneve kryesore televizive”. Sy zhvillim është përpjekja me e fundit nga ana e Rusisë me qëllimin për të minuar dhe destabilizuar ish-republikën sovjetike të Gjeorgjisë që prej një lufte shkurtër mes dy vendeve në vitin 2008 lidhur me një rajon të shkëputur nga Gjeorgjia.
Top Channel