Veshkat janë ndër organet më të rëndësishme në trupin e njeriut pasi kryejnë funksione jetësore të tilla si; detoksifikimi i gjakut dhe filtrimi i toksinave apo mbetjeve nëpërmjet urinës, eliminimi i ujit të tepërt apo dhe depozitimi i tij kur është e nevojshme, stabilizimi i niveleve të fosfatit, kalçiumit dhe mineraleve të tjera në organizëm etj. Prandaj, është thelbësore që ashtu si për çdo organ tjetër të kujdesemi edhe për mirëfunksionimin tyre.

Simptomat më të zakonshme që paralajmërojnë praninë e problemeve në veshka janë:

Ndryshime në sasinë dhe ngjyrën e urinës
Nauzea (të vjella)
Marramendje
Probleme me frymëmarrjen
Anemi
Debulesë
Ethe në shumicën e kohës
Ndjesi kruarje në lëkurë
Dhimbje e pashpjegueshme në zona të ndryshme të trupit
…dhe 10 shkaqet kryesore të shfaqjes së këtyre problemeve janë:

Mbajta e Urinës
Një nga shkaqet kryesore të dëmtimit të veshkave është mos zbrazja e fshikëzës në momentin e ndjesisë për të urinuar. Në këtë mënyrë ndodh shtimi i pakontrolluar i baktereve që ndodhen në urinë dhe për pasojë mund të shfaqet infeksion në veshka apo traktin urinar. Gjithashtu mbajtja e urinës për një kohë të gjatë mund të çojë në inkontinencë urinare dhe dështim renal.

Konsumi i pamjaftueshëm i ujit
Veshkat mund të dëmtohen rëndë nëse nuk pini ujë mjaftueshëm. Nëse organizmi dehidratohet, ulet qarkullimi i gjakut në veshka e për pasojë bëhet më i vështirë eleminimi i toksinave. Nga ana tjetër edhe hidratimi i tepruar është i dëmshëm për veshkat. Sasia e rekomanduar ditore është minimalisht 10 deri në 12 gota ujë.

Konsumi i kripës në sasi të larta
Konsumi i tepërt i kripës, mund të shkaktojë dëmtim serioz të veshkave duke qenë se do t‘i duhet të punojnë shumë më tepër për të nxjerrë kripën e tepërt nga organizmi.

Sipas studimeve, tepria e kripës rrit nivelet e proteinave në urinë, një tjetër faktor rreziku ky për zhvillimin e sëmundjes së veshkave. Çdo sasi mbi 5 gram kripë në ditë konsiderohet e dëmshme për veshkat.

Përdorimi i rregullt i analgjezikëve
Shumë persona marrin analgjezikë për të ulur inflamacionin si dhe për të kontrolluar dhimbjet por marrja e rregullt e tyre mendohet se është e dëmshme për veshkat. Analgjezikët mendohet se ulin qarkullimin e gjakut në veshka duke përkeqësuar funksionimin normal të tyre. Marrja për periudha afatgjata ose në mënyrë të tepruar e analgjezëve shkakton sëmundje kronike të veshkave.

Konsumi i ushqimeve me përmbajtje të larta proteinash
Ushqime të tilla si mishi i kuq, rrisin rrezikun e sëmundjes së veshkave. Një nga rolet e veshkave është eliminimi i mbetjeve të azotit nga organizmi. Konsumi i ushqimeve me përmbajtje të lartë proteinash nxit glomerulat deri në hiperfiltrim duke rritur ngarkesën metabolike të veshkave. Prandaj, rekomandohet të kufizoni sasinë e konsumit të mishit të kuq.

Konsumi i alkolit

Alkooli është i dëmshëm për shëndetin e të gjithë organizmit por veçanërisht për mëlçinë dhe veshkat.

Nga konsumi i tepruar i alkoolit, acidi urik do të mbetet në tubat renalë, duke rritur kështu rrezikun e dështimit renal. Për më tepër, alkooli çon në dehidrim dhe pengon funksionin normal të veshkave.

Duhanpirja
Duhanpirja ashtu si dhe alkoli, nuk është i dëmshëm vetëm për veshkat, por për pothuajse çdo organ të trupit tonë. Duhanpirja është shkaku numër një i sëmundjeve renale madje të stadit të fundit, pasi shkakton ngushtim të enëve të gjakut në veshka duke përshpejtuar humbjen e funksionit të veshkave. Mënyra më e mirë e parandalimit është ndërprerja e duhanit.

Konsumi i tepërt i kafeinës
Konsumi i tepërt i kafeinës, rrit presioni arterial e për pasojë rëndon funksionin e veshkave. Gjithashtu, kafeina rrit sasinë e kalçiumit e për pasojë është shkaktare e krijimit të gurëve në veshka. Megjithatë, marrja e kafeinës në sasi të moderuar nuk përbën problem, prandaj e rëndësishme është të kufizoni sasinë e saj.

Neglizhenca ndaj infeksioneve të zakonshme
Neglizhenca ndaj infeksioneve të tilla si kollë, ftohje, grip, probleme me grykët, faringit dhe infeksione të tjera të zakonshme, mund të shkaktojë dëmtime serioze të veshkave. Mostrajtimi i infeksioneve, viruseve apo baktereve mund të shkaktojë dëme të parikuperueshme.

Mungesa e gjumit
Shumë njerëz, për shkak të stilit të jetesës, injorojnë rëndësinë e gjumit në organizëm. 6 deri në 8 orë gjumë janë thelbësore për shëndetin e çdo individi. Gjatë këtij procesi rigjnerohen indet e organeve, prandaj mosplotësimi i orëve të nevojshme të gjumit do ta ndërpriste këtë proces duke shkaktuar rritjen e presionit të gjakut, i cili më tej dëmton veshkat, dhe jo vetëm.

Zgjidhja është ruajtja e ekuilibrit midis punës dhe pushimit.

Top Channel