Wuhan: Kërcimi ndihmon në shërimin e të sëmurëve

20/02/2020 18:50

Në qytetin Wuhan të goditur nga virusi, jo gjithçka është e zymtë.

Një video që tregon infermieret në një spital të improvizuar duke u mësuar pacientëve se si të kërcejnë ka tërhequr shumë vëmendje në internet.36-vjeçarja Ipar Ehmet nga Kashgari i Rajonit Autonom të Xinjiang-ut drejton vallëzimin ujgur dy herë në ditë, në një spital të improvizuar të ngritur në një qendër ekspozitash në Wuhan.

Pacientët në spital kanë simptoma të lehta dhe stërvitja e moderuar mund t’i ndihmojë ata të shërohen shpejt.

“Ne jemi nga Xinjiang-u dhe shumë njerëz këtu janë të interesuar për vallëzimin ujgur, kështu që na kërkuan t’i mësojmë. Ne tani kërcejmë dy herë në ditë si ushtrime fizike,” thotë Ipari.

Ajo u nis për në Wuhan, ndërsa e bija kalonte pushimet dimërore në Urumqi.Në fillim nëntëvjeçarja nuk donte që e ëma të shkonte në Wuhan, por tani, në sytë e saj, ajo është një heroinë.

“Vajza më tha: ‘Mama, mos shko. Ti më premtove se do të vije e të më çoje në shtëpi’. Por unë i thashë se, kur një pjesë e vendit është në vështirësi, të tjerët duhet të bashkohen për ta ndihmuar. Unë duhet të shkoj. Dhe ajo më tha: ‘Ti je heroina ime!'” thotë Ipar Ehmeti.

Përpjekjet e bëra nga Ipari dhe kolegët e saj janë shpërblyer.

56-vjeçarja Peng Jinlan u transferua në këtë spital më 9 shkurt. Ajo vuante nga ethet, të dridhurat dhe kollitja në ditët e para këtu.

Por, në më pak se një javë, ajo filloi të ndihet më mirë dhe është më e sigurt se do të shërohet.

Peng thotë se të afërmit e kanë inkurajuar të ushtrohet më shumë.
“Ne patëm një videotelefonatë mbrëmë. U thashë që jam shumë më mirë tani. Ata më thanë të mos shqetësohem shumë dhe thjesht të gëzohem dhe të kërcej.”

Më shumë se 5 600 pacientë janë duke u trajtuar në nëntë spitalet e improvizuara publike në Wuhan.

Përveç vallëzimit, stafi mjekësor ka përdorur edhe lloje të tjera ushtrimesh, të tilla si taiji, për të ndihmuar në trajtimin e të sëmurëve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA