Në Dropull banorët prej vitesh po ndërgjegjësohen për të dhuruar për bamirësi. Olga Paguna e cila prej vitesh drejton një fondacion që adreson probleme sociale dhe sfida njerëzore të banorëve në zonat e thella të kësaj bashkie thotë se përtej problemeve të dukshme ka probleme më pak të evidentuara siç është ajo e rritjes së numrit të fëmijëve të lindur autikë që rezulton shumë i lartë në raport me numrin e popullsisë së Dropullit.
Olga thotë se për këta fëmijë mungojnë mundësitë e trajtimit dhe riintegrimit. Ajo shpreson që bamirësia të mund të zgjidhë gradualisht këtë problem pasi distancat me Gjirokastrën ku funksionon një qendër janë të mëdha ndërsa vështirësi mbetet edhe mundësia e terapisë në gjuhën greke.
Në qendrën që trajton fëmijë autikë në Gjirokastër marrin shërbime rreth 40 fëmijë nga Gjirokastra dhe zonat përreth ndërsa sipas specialistëve qindra të tjerë mendohet se janë të paidentifikur ose në pamundësi për të arritur shërbimet. Specialistët e fushës thonë se ndjeshmëria dhe pranimi i fenomenit është ende në nivel të ulët në rajon ndërsa autizmi dhe sindroma down po rrit prezencën mes të lindurve të viteve të fundit. Prania e vetëm një qendre për një rajon kaq të gjerë është gjithashtu një shqetësim që po ngrihet prej vitesh nga familjet e këtyre fëmijëve.
Top Channel