Bashkimi Evropian ka shpallur propozimet për të rregulluar përdorimin e inteligjencës artificiale.
Propozimet bëjnë thirrje për rregulla të rrepta, dhe masa mbrojtëse për zbatimin e kësaj teknologjie, e cila po shënon zhvillim të shpejtë. Raporti është pjesë e strategjisë më të gjerë digjitale të bllokut, që synon të ruajë pozicionin e tij si përcaktues global mbi standardet teknologjike. Në bazë të propozimeve, kompanitë e teknologjisë që kërkojnë të futen në tregun e gjerë dhe fitimprurës të Evropës, përfshirë ato nga SHBA-ja dhe Kina, do të duhet të zbatojnë rregullat e reja evropiane. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, kishte porositur zyrtarët e lartë të Komisionit, që brenda 100 ditësh pasi ajo mori detyrën, në dhjetor, të propozonin një qasje të koordinuar evropiane për inteligjencën artificiale dhe strategjinë e të dhënave.
“Ne do të jemi veçanërisht të kujdesshëm, kur vihen në diskutim të drejtat dhe interesat thelbësore të njeriut. Inteligjenca artificiale duhet t’u shërbejë njerëzve, dhe për këtë arsye inteligjenca artificiale duhet të jetë gjithmonë në përputhje me të drejtat e njerëzve”.
Sipas Komisionit Evropian, vendosja e rregullave të qarta për këtë çështje është e nevojshme për të adresuar “sistemet e rrezikut të lartë” si ato në shëndetësi, polici ose transport, të cilat duhet të jenë “transparente, dhe të garantojnë mbikëqyrjen nga ana e njeriut “.Sipas propozimeve, të cilat janë të hapura për konsultime publike deri më 19 maj, autoritetet e BE-së, dëshirojnë të jenë në gjendje të testojnë dhe vërtetojnë të dhënat e përdorura nga algoritmet që fuqizojnë inteligjencën artificiale.
Top Channel