Në vendngjarje ku u vra Fatmir Haklaj u gjetën disa prova, të cilat mund të çonin në identifikimin e autorëve.

“Aty ishin gjetur një çantë, e cila mbante ushqim, të cilat i kishin përdorur gjatë ditës një karikator me fishekë, dhe një kapele me qimet e kokës së njërit prej atentatorëve”, tregon Aishe Haklaj, motra e Haklajve
“Ne kush ishin kryesorët i dimë. Ka qenë Përparim Hyka, Medi Hoxha, Xhaferr Hoxha, Haki Hoxha që janë kryesorët që kanë marrë pjesë”, akuzon Zylfije Haklaj, motra e Haklajve

Në vendngjarje u gjetën edhe një palë dylbi identike me ato që përdornin forcat speciale. Ishte e qartë se edhe këtë herë mes grupit të komandës kishte njerëz me uniformë shtetërore. Komisari i ndjerë Gani Malushi, bëri një raport të gjatë ku kishte edhe emra konkretë të dyshuarish.

Askush nuk u kujdes të zbulonte se kush i kishte tërhequr dylbitë nga reparti i forcave speciale dhe kujt i përkisnin qimet në kapelën e gjetur. Në vendngjarje janë gjetur edhe gëzhoja të armës që kishte shtënë në 5 Janar të vitit 1998 mbi Shkëlqim Haklajn. Pra, ishte e njëjta dorë atentatorësh.

Komisar Malushi, kërkoi nga eprorët e tij në Ministrinë e Rendit të verifikonin nëse dy efektivë të forcave speciale ndodheshin në repart atë ditë apo jo. Bëhej fjalë për Përparim Hykën dhe mikun e tij Anton Gjergji, ish-truproja i Fatos Nanos.

“Gani Malushi është përpjekur të hartojë një dosje me prova dhe me ato prova ka kërkuar edhe vendodhjen e Përparim Hykës”, tregon Zylfije Haklaj, motra e Haklajve

Malushi kishte siguruar disa informacione nga burimet e tij, por kurrë nuk pati mbështetje që provat të vlerësosheshin deri në fund. Ai kishte vërtetuar se dylbitë e gjetura në vendngjarje i përkisnin një reparti të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë në Tiranë. Shenjat e gishtave të personave nuk u zbuluan kurrë.

Provat që zbuloi komisar Malushi, i mori me vete në varr. Ai vetë do të ishte viktimë e një atentati në 6 Gusht të vitit 2003 në Durrës. Malushi u ekzekutua me breshëri kallashnikoi së bashku me shoferin e tij. Zyrtarisht u tha se ngjarja kishte objektiv shoferin e Malushit dhe shkaku ishte gjakmarrja.

Për vrasjen e dyfishtë vuan dënimin një person i quajtur Agim Pepa. Kurrë nuk u hetua pista që lidhej me detyrën. Malushi, ishte njeriu që kishte rrëmuar si askush për masakrën e Tropojës, duke zbuluar edhe emra konkretë personash të dyshuar.

“Gani Malushi ka tentuar të më takojë po atë ditë pas vdekjes së Fatmirit dhe e kishim lënë që më vonë kur të jem më mirë të komunikoj me atë njeri dhe e kam peng që nuk arrita sadopak të jap ato mendimet e mija”, rrëfen pengun Aishe Haklaj, motra e Haklajve

Top Channel