Shtëpia e re e familjes Subashi/ Ka nisur të ndërtohet në Likesh të Shijakut pasi tërmeti i la pa strehë

18/02/2020 19:32

Halil Subashi po përjeton një gëzim aq te madh sa sipas tij fjalët nuk ia shprehin dot, pas dhembjes që provoi kur tërmeti i ktheu në të pabanueshme shtëpinë e tij dhe të djemve. Toka e Subashëve, në Likesh të Shijakut është kthyer në kantier ndërtimi.

Punohet me intensitet dhe cilësi, ndaj tri shtëpitë që po ndërtohen aty me fondet e mbledhura nga gazetari Marin Mema dhe fondacioni “Rrënjë shqiptare” kanë marrë formë.

“Kam një kënaqësi të madhe kur i shoh këto shtëpi që po ndërtohen. Një dhuratë e madhe që as e mendoja”, shprehet Halil Subashi.

“Ndjehem shume i kënaqur. Na u dha një dhuratë shumë e madhe”- ka thënë Jakup Subashi, i biri.

Vetëm pak metra më tutje ndodhen çadrat ku tre familjet Subashi janë strehuar.

“Jetoj në çadër. Vështirë, po kur shoh shtëpinë jam shumë i kënaqur”.

Është koha për të shijuar frytet e solidaritetit dhe bujarisë së treguar menjëherë pas fatkeqësisë që i goditi me tërmetin e 26 nëntorit. Halili dhe djemtë e tij bashkë me familjet janë mirënjohës pafund për këdo që dhuroi para për të dëmtuarit nga tërmeti, veçanërisht për Marin Memën dhe “Rrënjët shqiptare” që po bëjnë realitet atë që as nuk kishin mundur ta ëndërrojnë.

Top Channel