Shpërthimi i Covid-19! Kina publikon studimin e gjerë rreth virusit të rrezikshëm

18/02/2020 12:07

Zyrtarët e shëndetësisë në Kinë, kanë publikuar detajet e para të më shumë se 70 mijë rasteve të Covid 19 në studimin më të madh që kur virusi u shfaq.

Të dhëna nga qendra kineze për kontrollin dhe parandalimin e sëmundjeve zbuloi se më shumë se 80 përqind e rasteve kanë qenë të lehta dhe personat e sëmurë apo të moshuar kanë qenë më të rrezikuarit. Ndërsa për fëmijët, studimi tregon një shkallë vdekshmërie zero.

Kërkimi po ashtu flet për rrezikun e lartë të stafit mjekësor. Kjo vjen ndërsa drejtori i një spitali në Wuhan humbi jetën të martën nga virusi. Liu Zhiming, 51 vjeç, ishte drejtor i spitalit Wuchang në Wuhan, një nga spitalet kryesore në epiqendrën e virusit. Ai është një nga zyrtarët më të lartë të shëndetësisë që humb jetën deri më tani. Hubei, në të cilën ndodhet edhe Wuhani, është më e prekura në vend.

Raporti i qendrës tregon se shkalla e vdekshmërisë në provincë është 2.9 për qind ndërsa në pjesën tjetër të vendit vetëm 0.4 përqind. Në total, shkalla e vdekshmërisë së Covid 19 është 2.3 përqind. Shifrat më të fundit zyrtare të kinës, të publikuara të martën, flasin për gjithsej 1868 viktima dhe 72436 infeksione. Zyrtarët thanë se kishte 98 viktima të reja dhe 1886 raste të reja të hënën, me 93 viktima dhe 1807 raste të reja vetëm në provincën Hubei.

Më shumë se 12 mijë persona ndërkohë, sipas autoriteteve kineze, janë shëruar. Duke u ndalur tek stafi mjekësor, studimi i fundit tregon se 3019 punonjës të sektorit janë infektuar dhe pesë kanë humbur jetën deri më 11 shkurt, që është edhe data e fundit e përfshirë në kërkim. Ndërkohë, kritike mbetet situata në anijen krocerë të vendosur në karantinë në Japoni Diamond Princess, ku janë konfirmuar 450 raste. SHBA dhe disa vende të tjera kanë evakuuar shtetasit e tyre.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA