Përjashtimi nga UEFA, Manchester City “në hall” për bonuset e Championsit

18/02/2020 16:32

Pas përjashtimit nga kompeticionet europiane për dy sezonet e ardhshme nga UEFA, për mosrespektimin e “Fair Play-t Financiar”, në shtëpinë e Manchester City-t duhet të përballen me një tjetër problem të madh, atë të bonuseve të Champions League-s të përfshirë në kontratat e disa lojtarëve.

Siç shkruan “Daily Mail”, janë duke u zhvilluar negociatat në lidhje me këtë çështje, pasi disa lojtarë kanë të drejtën e pagave ekstra që varen pikërisht nga paraqitjet e klubit në Europë, dhe bëhet fjalë për bonuse të rëndësishme, disa prej të cilave edhe me 7 shifra.

Pezullimi nga UEFA u mohon lojtarëve mundësinë për të përfituar pagesat në fjalë. Duke marrë në konsideratë edhe humbjen e fitimeve nga mungesa në kompeticionet europiane, prej ditësh klubi anglez është duke zhvilluar tratativa me lojtarët dhe menaxherët e tyre.

Nga ana tjetër e Manchesterit, United rrezikon të humbasë më shumë se 20 milionë paundë nga akordi prej 75 milionë paundësh në vit me Adidas, në rast se “Djajtë e Kuq” nuk do t’ia dalin të kualifikohen në Champions për dy sezonet e ardhshme.

Lajmi i mirë për Citizens është se nuk ka klauzola të ngjashme në kontratat e tyre të marketingut, duke përfshirë dhe në atë prej 65 milionë paundësh në vit me furnizuesin zyrtar të uniformave, Puma. Në ambientin e Citizens ndërkohë janë të bindur se trajneri Pep Guardiola nuk do ta braktisë skuadrën sezonin e ardhshëm, pavarësisht ndalimit të Europës dhe interesimit të Juventusit, me klubin që po thekson këto ditë rëndësinë që të gjithë të qëndrojnë të bashkuar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA