Koncesioni i “check up-it” në SPAK/ PD ngre 7 akuza për  Beqjen, Manastirliun dhe të paktën 10 të tjerë

18/02/2020 11:04

Partia Demokratike ka dorëzuar në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion (SPAK) kallëzimin penal për koncesionin e “check up-it”.

Sipas Partisë Demokratike koncesioni i “Check Up” është  një nga vendimet më korruptive të qeverisë së kryeministrit Edi Rama.

Duke iu referuar këtyre akuzave Partia Demokratike ka kallëzuar në SPAK të paktën dhjetë persona, mes të cilëve ish Ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj, Ministren aktuale të Shëndetësisë, Ogerta Manstirliu dhe aksioneren e kompanisë përfituese të check up-it, Vilma Nushi.

Sipas pretendimeve të Partisë Demokratike mbi të paditurit ngarkohen 7 akuza, që nga korrupsioni aktiv dhe pasiv, shpërdorimi i detyrës deri tek përfitimi i paligjshëm.

Më tej në njoftimin e PD lidhur me kallëzimin penal të bërë, thuhet se janë bazuar tek analiza me prova dhe fakte në dy faza, në procedurën e dhënies në koncesion dhe përzgjedhjes së fituesit, si dhe në periudhën e zbatimit të kontratës.

Në kallëzim evidentohet se Ministria e Shëndetësisë ka shkelur procedurat ligjore për shpalljen e fituesit dhe lidhjen e kontratës, si dhe ka shpallur fitues ofertuesin me çmimin më të lartë, duke sjellë dëm të lartë financiar për Buxhetin e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor.

“Sipas provave të administraura rezulton se Ministria e Shëndetësisë, ka pasur ngut të pashpjegueshëm për të përfunduar, në mënyrën e parapërcaktuar, këtë procedurë koncesionare. Ajo ka prezumuar mungesën e ankimit nga operatorët e tjerë, fakt ky që provon se e gjithë procedura koncesionare ka qenë fiktive dhe fituesi ishte paracaktuar” – thuhet në kallëzimin e firmosur nga Sekretari i Përgjithshëm i PD Gazment Bardhi.

Në kallëzimin e dorëzuar prej Partisë Demokratike vihet në dukje se funksionarët publikë nuk kanë ushtruar kontrolle apo kanë lejuar vazhdimin e shkeljeve të kontratës, duke i sjellë dëm qytetarëve shqiptarë dhe financave të shtetit.

“Kjo nuk kryhet vetëm si pasojë e paaftësisë, por ka në bazë një interes financiar dhe ekonomik, që i detyron të mos kryejnë detyrën funskionale dhe duke lejuar shkeljet e jashtëzakonshme të kontratës”-thuhet në kallëzimin e Partisë Demokratike.

“Të gjitha shkeljet e kryera kanë sjellë dëm ekonomik për Buxhetin e Shtetit, dhe se është provuar shkelje e barazisë në tëndera, si dhe cënimin e interesit publik, duke pasur parasysh cilësinë e shërbimit dhe marrëdhënien financiare ndërmjet fituesit dhe Fondit të Sigurimeve Shëndetësore.” përfundon PD.

 

Top Channel