Ditën e sotme, i ftuar në studion e emisionit “Shqipëria Live” ishte gazetari i Top Channel-it, Marin Mema dhe presidenti i Fondacionit Gjurmë Shqiptare, Marko Kepi, një nga fondacionet e pakta vullnetare që u angazhuan për mbledhjen e fondeve, të cilat do të vendoseshin më pas në dispozicion për rindërtimin e shtëpive që u shkatërruan nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit.
Ky fondacion arriti që për pak orë të siguronte rreth 1.5 milionë euro. Puna e tyre tashmë ka nisur, ku një shtëpi është duke u ndërtuar në Tapizë (një fshat në Nikël të Krujës) dhe tre të tjera në Shijak. Në studio u shtrua pyetja nga dy moderatorët Flori Gjini dhe Erjona Rusi në lidhje me një moto që gazetari Mema e përdor së shumti, “Është koha për punë dhe jo për fjalë”.
A është kjo një formë ironie në drejtim të qeverive vendore dhe lokale, janë shprehur drejtuesit e emisionit. Gazetari u shpreh se këtë gjë nuk e ka bërë, se ai së bashku me fondacionin që mbështet nuk është në një garë për njeri. Por sipas tij ishte nevoja që të tregohej me fakte që familjet e prekura të ndihmoheshim
“Sot ne jemi në mes të shkurtit dhe tërmeti ka ndodhur rreth dy muaj më parë. Ishte nevoja që të tregohej me fakte që këto familje do të ndihmoheshin dhe ne këtë gjë kemi kërkuar. Familjet kanë nevojë të kuptojnë që do të ketë disa njerëz që do t’i ndihmojnë dhe të shohin dritë në fund të tunelit. Ka disa djem shqiptarë që e duan Shqipërinë me të gjithë shpirt dhe këtë gjë që po bëjmë po e bëjmë për t’i ardhur në ndihmë të Shqipërisë”, u shpreh Marim Mema.
Top Channel