Prokurorët turq që po hetojnë ushtrinë dhe ministrinë e Drejtësisë, urdhëruan arrestimin e rreth 700 personave për lidhje të dyshuara me rrjetin, për të cilin Ankaraja thotë se ishte pas një përpjekjeje për grusht shteti në vitin 2016, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve Anadolu.
Autoritetet turke në vazhdimësi kanë goditur ndjekësit e pretenduar të klerikut mysliman me qëndrim në SHBA, Fethullah Gulen, që nga një grusht-shtet i dështuar në korrik të vitit 2016, në të cilën u vranë rreth 250 njerëz.
Agjencia tha se operacioni ishte i bazuar në provincën perëndimore të Izmirit por shtrihej edhe në 43 provinca tjera. Prokurorët në kryeqytetin Ankara, urdhëruan arrestimin e 71 personave pas një hetimi që shënjestronte mbështetësit e supozuar të Gulenit në ministrinë e Drejtësisë. Prej tyre, 33 punonin aktualisht në ministri.
Që nga përpjekja për grusht shteti, rreth 80,000 njerëz janë burgosur dhe janë në pritje të gjyqit dhe rreth 150,000 shërbyes civil, personel ushtarak dhe të tjerë u pushuan ose u pezulluan nga puna. Vendet perëndimore dhe grupet e të drejtave të njeriut kanë kritikuar masat e Turqisë, ndërsa Ankaraja ka mbrojtur veprimet duke i arsyetuar se janë përgjigje e nevojshme ndaj kërcënimit të sigurisë.
Top Channel