Kryeministri Edi Rama nga Konferenca e Sigurisë në Mynih, fjalën e tij ia ka dedikuar zhvillimeve në Ukrainë, shpallur si një nga prioritetet e agjendës së kryesimit nga Shqipëria në OSBE.
“Ajo që është mbresëlënëse është se themeli bazë i OSBE, është integriteti territorial e të drejtat e njeriut. Këto parime po diskutohen shumë sot se sa ishin asokohe. Kjo është një sfidë e madhe dhe e jashtëzakonshme në një kohë kur shumë gjëra të liga po u ndodhin njerëzve. Për sa i përket Ukrainës përmirësim nënkupton më mirë se sa më e keqja. Vazhdojnë incidentet gjatë natës për shkak të mungesës së kapaciteteve për të monitoruar në mënyrë më konstante të gjithë vijën kufitare”, u shpreh kryeministri Edi Rama.
Kryeministri Rama bashkëbisedoi, me Presidentin e Moldavisë, Igor Dodon si dhe me Sekretarin e përgjithshëm të OSBE, Thomas Greminger i cili dha një koment për drejtimin e kësaj organizate nga Shqipëria.
“Urime për fillimin e mbarë të presidencës së OSBE-së nga ana e Shqipërisë. Mendoj se e filluat jashtëzakonisht mirë. Ne të gjithë dhe unë personalisht vlerësojmë angazhimin tuaj personal duke filluar që nga vizita juaj në Uashington dhe në Nju Jork, në takimin e Këshillit të Sigurimit. Ne e kuptojmë se juve ju presin shumë sfida dhe mendoj se në këto takime ky ka qenë edhe fokusi i vizitave tuaja”, tha Thomas Greminger.
Konferenca e Mynihut i ka shërbyer kryeministrit Edi Rama për tu takuar edhe me themeluesin e Facebook-ut Mark Zuckerberg, ku me gjasë nuk kanë munguar falenderimet, pasi kryeministri platformën e tij mediatike ERTV e ka ndërtuar brenda këtij rrjeti social, ku ai ndiqet nga 1.1 milion persona.
Top Channel