Edhe këtë të shtunë, si të shtunën e 3 javëve më parë, më 25 janar nxënësit shkuan në mësim.
Për shkak të ndërprerjes së procesit mësimor pas tërmetit të 26 nëntorit, drejtoria e përgjithshme arsimore vendosi zëvendësimin e orëve në fundjavë. Megjithatë, jo të gjithë nxënësit shkuan në shkollë, madje edhe mësuesit kanë munguar. Por ka edhe shkolla 9-vjeçare apo gjimnaze që nuk kanë zhvilluar mësim fare, por aktivitet festiv.
“Bëmë orë të shkurtuara se mungonin zyshat. Prandaj na lanë të lirë kaq herët.
4 orë bëmë fiskulturë se mungonte një zysh edhe vetëm 1 orë bëmë qytetari.
Orët ishin të shkurtuara, 40 min 4 orët e para e pastaj nga 35 min…
Sot sbëmë mësim fare, kishim festë… -kur do i zëvëndësoni orët e pazhvilluara? Të shtunën tjetër..”, shprehen nxënësit.
Nxënësit e shkollave të zyrave vendore arsimore të Tiranës, Durrësit, Vorës, Kurbinit do të duhet të shkojnë në shkollë edhe të shtunën e 29 shkurtit. Më pas zëvendësimi shtrihet edhe gjatë marsit, më datë 16 dhe 28. Kurse në Lezhë, Mirditë, Rrogozhinë, Kavajë dhe Kamëz kanë mbetur edhe 2 ditë mësim për t’u zëvendësuar më 29 shkurt dhe 16 mars./Kristi Gongo/
Top Channel