Ka përfunduar takimi i delegacionit të Venecias me opozitën-jashtëparlamentare.

Pas takimit me delegacionin e Venecias, kreu i PD-së, në një komunikim për media shprehet se ky takim ka qenë tejet i frytshëm. Ai shton se në këtë takim diskutuan për shkatërrimin e reformës në drejtësi dhe rrugën e daljes, kthimi i legjitimitetit të institucioneve.

“Takimi me ekspertët e Komisionit të Venecias ishte tejet i frytshëm. Shqipëria është në një krizë shumë të thellë kushtetuese dhe politike. Ilustrimi më i mirë i kësaj krize janë lëvizjet e çoroditura të një pushteti i cili nuk pret as për opinionin e Venecias por ka çuar për miratim në një kuvend iligjitim masa të tjera që forcojnë kapjen e shtetit, kapjen e drejtësisë. Të drejtat e qytetarëve janë të kërcënuara, jeta e qytetarëve është e kërcënuar sepse Republika e Shqipërisë nuk është më e shqiptarëve por e një grupi oligarkësh, që drejton këtë vend. Vendi është në një kolaps total”, shprehet Basha.

“Nuk është demokraci, nuk është shtet ligjor. Me Komisionin diskutuam për shkatërrimin e reformës në drejtësi dhe rrugën e daljes. Rruga e daljes është e qartë, të kthehet legjitimiteti i institucioneve. Të kemi një parlament që është produkt i votës së qytetarëve.”, shton ai.

“Zgjidhjen që kërkojmë nuk e kërkojmë për veten tonë, kemi sakrifikuar gjithçka për të gjetur një rrugë për shqiptarët. Nëse pala tjetër do të vazhdojë në mënyrë të paligjshme, atëherë opozita bashkë me qytetarët do të marrin vendimet që i takojnë një shoqërie evropiane për tu përballur me një grusht njerëzish që kanë marr peng vendin”, shprehet ai.

Deklaratë e plotë:

Pyetje: Si e konsideroni vendimin dhe kërkesën e Kuvendit të Shqipërisë për shkarkimin e Presidentit e Republikës në lidhje me emërimet në Gjykatën Kushtetuese?

Lulzim Basha: Takimi me ekspertët e Komisioni të Venecias ishte shumë i frytshëm. Shqipëria është në një krizë të thellë kushtetuese dhe politike. Ilustrimi më i mirë i kësaj krize, në javët e fundit, janë lëvizjet e çoroditura të një pushteti, i cili nuk pret as për opinionin e Venecias, por ka çuar për miratim, në një Kuvend ilegjitim, masa të tjera që forcojnë kapjen e shtetit, kapjen e drejtësisë, kapjen e Gjykatës Kushtetuese. E gjitha kjo ka çuar vendin në kolaps total. Të drejtat e qytetarëve janë të kërcënuara, prona e qytetarëve është e kërcënuar, jeta e qytetarëve është e kërcënuar, siguria e qytetarëve është e kërcënuar, sepse shteti shqiptar, Republika e Shqipërisë sot nuk është e shqiptarëve, por është një grushti pushtetarësh, të lidhur me një grusht kriminelësh dhe oligarkësh që, së bashku, kanë kapur zgjedhjet, parlamentin, bashkitë, Gjykatën Kushtetuese, gjykatat e vendit, pronat e shqiptarëve. Gjithçka në këtë vend kontrollohet nga një grusht njerëzish. Kjo nuk është demokraci. Ky nuk është shteti ligjor. Ndaj me Komisionin e Venecias diskutuam jo vetëm problematikën që është rënduar nga muaji në muaj, nga viti në vit, që nga fillimi i kapjes së drejtësisë dhe shkatërrimit të reformës në drejtësi nga një qeveri që do të mbrojë dhe fsheh krimet dhe korrupsionin e vet, por edhe rrugën e daljes. Rruga e daljes është e qartë: Të kthehet legjitimiteti i institucioneve. Të kemi një parlament që, e ka të lidhur fatin me qytetarët. Një parlament dhe një qeveri që e ka fatin e lidhur me qytetarët, do t’iu shërbejë qytetarëve. Një parlament, një qeveri, një kryeministër që ka dalë, siç kemi dëgjuar nga dosjet “184” dhe “339”, nga bashkëpunimi me bandat dhe krimi i organizuar, është peng i tyre, do t’u shërbejë atyre, do t’i shërbejë oligarkisë. Kjo është zgjedhja sot para shqiptarëve: do të vazhdojmë me Shqipërinë e 12 pushtetarëve, kriminelëve, oligarkëve apo do të kthejmë Shqipërinë e gjithë shqiptarëve përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe përmes sundimit të ligjit dhe barazisë para ligjit të gjithë qytetarëve dhe jo shfaqjeve propagandistike, të cilat nuk i hedhin më hi syve as shqiptarëve dhe as miqve tanë ndërkombëtarë.

Pyetje: Zoti Basha ju keni kërkuar si zgjidhje qeveri teknike dhe zgjedhje të parakohshme, por PS ka deklaruar se zgjedhje ka vetëm në 2021. Si zgjidhet kjo?

Lulzim Basha: Zgjidhja që ne kërkojmë, nuk po e kërkojmë për veten tonë. Ne sakrifikuam gjithçka për t’i hapur rrugën një zgjidhje politike për shqiptarët, jo për veten tonë. Nëse pala tjetër do të vazhdojë të përdorë në mënyrë të paligjshme pushtetin e paligjshëm, paratë e pista të krimit të organizuar, dhe të vendosë interesat e pushtetit të vet dhe të atyre me të cilët ka ardhur në pushtet, kriminelëve dhe oligarkëve, kundër interesave të shqiptarëve, atëherë opozita bashkë me qytetarët do të marrin vendimet që i takojnë një shoqërie europiane për t’u përballur me një grusht njerëzish që kanë marrë peng vendin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA