Senati Italian i hoqi imunitetin ish-ministrit të brendshëm. Tani kreu i partisë ekstremiste të krahut të djathtë Lega duhet të japë llogari para gjyqit për shpërdorim detyre dhe privim lirie.
Shumica e Senatit në Romë votuan për heqjen e imunitetit të Salvinit. Kreu i ekstremit të djathtë, Lega, akuzohet nga një gjykatë në Catania. Në dosjen e gjykatës bëhet fjalë për 131 refugjatë, të cilët, në korrikun e vitit të kaluar, Salvini i kishte mbajtur të bllokuar në bordin e anijes “Bruno Gregoretti”. Salvini dhe Lega e tij, të cilët ndiqnin një kurs të ashpër kundër imigrantëve, e kishin refuzuar për disa ditë që anija të hynte në një port italian. Vetëm kur vendet e tjera, përfshirë Gjermaninë, kishin pranuar të merrnin refugjatët në vendet e tyre, ai lejoi që anija të hynte në bregdet.
Pas votimit, Salvini tha: “Unë mbrojta Italinë e për këtë do të shkoj në gjyq. Por kam besim të plotë te gjykata”. Salvini ishte Ministër i Brendshëm nga qershori 2018 deri në fillim të shtatorit 2019. Në rastin se dënohet ai kërcënohet me deri 15 vjet burg. Veç kësaj, atij mund t’i pezullohet aktiviteti politik për deri në 8 vjet. Në janar, komiteti përgjegjës parlamentar votoi për heqjen e imunitetit të Salvinit.
Tani edhe senati e miratoi këtë vendim duke hapur kështu rrugën për një gjyq ndaj Salvinit. Drejtësia italiane ishte përpjekur edhe në mars të 2019-ës t’i hiqte imunitetin Salvinit për shkak të refugjatëve. Por asokohe Senati kishte votuar kundër kësaj kërkese.
Top Channel