Ministri gjerman i shëndetësisë Jens Spahn thotë se deri tani përpjekjet për të frenuar përhapjen e koronavirusit në Europë, kanë dhënë rezultat. Duke folur në Bruksel pas takimit të ministrave të shëndetësisë së vendeve të BE-së, Spahn sqaroi se aty ishin diskutuar gjerë e gjatë “ masat që lidhen me udhëtimin si dhe sigurinë e lëvizjes së lirë brenda BE-së.”

Ministri shtoi se në këtë pikë nevojitet megjithatë një qasje e koordinuar mes bllokut dhe komunitetit ndërkombëtar. Ai theksoi rëndësinë e jashtëzakonshme që ka ngadalësimi i përhapjes së COVID-19 me qëllimin që ai të mos shtrihet dot shumë jashtë Kinës.

“Deri tani është një epidemi kryesisht rajonale, por ne duhet të sigurohemi që të mos kthehet në pandemik të vërtetë botërore”, ka qenë komenti I tij. Ministri paralajmëroi ndërkohë se nëse situata në Kinë nuk vihet nën kontroll, gjërat mund të përkeqësohen. Japonia ndërkohë njoftoi vdekjen e parë nga koronavirusi që ka marrë deri tani rreth 1,370 jetë njerëzish, ndërsa numri I rasteve të prekura kapërceu 60 mijë. Vetëm dy ditë pasi autoritetet kineze raportuan me entuziazëm një rënie të numrit të viktimave dhe të infektuarve, bilanci shënoi rritje sërish.

Top Channel