Manchester City do të përballet me Realin e Madridit në fazën e 1/8-ave të Ligës së Kampionëve, ndërsa trajneri i anglezëve Pep Guardiola paralajmëroi se nëse nuk kualifikohen për në çerekfinale, mund të shkarkohet.
“Nëse nuk mposhtim Realin, atëherë pronari i klubit vjen e më thotë se duan Championsin dhe mund të më pushojnë. Në Champions është shumë e vështirë të fitosh, ndaj nuk mund të quhet i dështuar një sezon, nëse nuk ia del në Europë”, deklaroi Guardiola.
Më pas trajneri spanjoll, që ka fituar dy herë Ligën e Kampionëve me Barcelonën dhe që paguhet 23 milionë euro në sezon nga klubi i Manchester Cityt, theksoi se nuk ndihet më i miri në botë në rolin e tij, pavarësisht etiketimeve.
“Njerëzit mendojnë se nëse je Guardiola, atëherë duhet ta fitosh patjetër Ligën e Kampionëve. Unë nuk ndihem më i miri në botë, pasi edhe te Barcelona, ku kam fituar shumë, kisha në dispozicion lojtarë shumë të mirë”, tha tekniku spanjoll.
Top Channel