Top Talk/ Luljeta Bozo ka një apel për të dëmtuarit e tërmetit, shpjegon edhe modelin e banesave të reja

12/02/2020 18:01

Sot u zhvillua mbledhja e katërt e komitetit të Rindërtimit për banesat e shkatërruara nga tërmeti i 26 nëntorit.

10,023 qytetarë vazhdojnë të jenë të pastrehë, në çadra, ndërsa 12 mijë familje përfitojnë bonusin e qerasë. E ftuar në Top Talk ditën e sotme për të folur pikërisht për këtë gjë ishte inxhinierja Luljeta Bozo.

“Është bërë një punë shumë e madhe për të arritur atë që do jetë shpëtimi i zonave rurale, nuk flas për qytetet e mëdha”.
Por si do bëhet kjo? Bozo tregon se sot në mbledhje janë përcaktuar të gjitha zonat për të cilat është bërë një plan rregullues.

“ Thumana, Bubqi, Fushë-Kruja dhe shumë të tjera. Shtëpitë në fshat do jenë një katëshe , maksimumi 2 dhe me pak oborr, si punë vilash pak a shumë. Duke qenë të grumbulluar këto banesa, atyre u shërbehet shumë më mirë, e dyta bashkojnë edhe kapitalet e tyre, toka bagëti etj, që do përdoren për më mirë”, shprehet ajo.

Por si do të ndërtohen ato konkretisht? “Këto shtëpi kanë disa vantazhe. I pari që do kenë themel pllakë, që është më i sigurti, e dyta struktura shumë e lehtë, dhe nga pikëpamja ekologjike janë shumë më të mira”, tregon Bozo.

Ndërsa për pallatet, ajo tha: Atje ku ka qenë, atje do ndërtohen. Kostot për të cilët i mbulon shteti.

Në fund inxhinierja Boza kishte edhe një apel për të prekurit. Të ketë mirëkuptim dhe të ndihmojnë me sa të munden. Duhet durim, sepse ky proces ka procedura.

Top Channel