Një shtetas i shpallur në kërkim ka rënë në pranga në Fier, teksa është arrestuar gjithashtu në flagrancë 1 shtetas për armëmbajtje pa leje, si dhe 2 të tjerë nga Qarkullimi Rrugor.
Gjatë orëve të vona të mbrëmjes u arrestua M. K., 20 vjeç, banues në Skrapar. Gjatë kontrollit personal, këtij shtetasi iu gjet një armë zjarri automatik dhe 1 krehër me 10 fishekë, vepër penale për të cilën parashikohet dënimi deri në 7 vite burg.
Po kështu u kap dhe u ndalua shtetasi i shpallur në kërkim A. S., 30 vjeç, banues në Divjakë. Ndalimi i këtij shtetasi u bë, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Lushnjë ka vendosur ndaj tij masën e sigurimit “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Ndërkohë, kontrollet kanë vijuar dhe nga Policia Rrugore, për evidentimin dhe ndëshkimin e shkelësve të Kodit Rrugor dhe si rezultat u arrestuan në flagrancë shtetasit: R. K., 30 vjeç, banues në Lushnjë, pasi drejtonte mjetin pa leje drejtimi dhe J. Xh., 33 vjeç, banues në Fier, pasi drejtonte mjetin në gjendje të dehur.
Kontrollet e Policisë do të vijojnë edhe në ditët në vazhdim, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë.
Top Channel