Lufta që kishte nisur mes dy fiseve të njohura në Tropojë kishte ekspozuar në konflikt edhe deputetin demokrat Azem Hajdari. Haklajt dyshonin se ai ishte i implikuar në vrasjen e Shkëlqimit në Qafë Luzhë.

Në 5 Qershor të atij viti, Hajdari udhëton drejt Bajram Currit me Pjetër Arbnorin dhe Jozefina Topallin për të vizituar refugjatët nga Kosova. Ai ishte paralajmëruar nga Ministri i Brendshëm i kohës Perikli Teta se i rrezikohej jeta. Hajdari ishte përgjigjur se askush nuk e ndalte dot të shkonte në vendlindje. Mbrojtjen e tij nuk e mori përsipër as Shefi i Rendit, Jaho Mulosmani, një prej njerëzve më të afërt të Haklajve. Informacionet rezultuan të sakta. Mjeti i Hajdarit sulmohet me breshëri kallashnikovi në lagjen Patizani. Ai shpëton pa lëndime por mbetet i plagosur gazetari i Radio Televizionit Shqiptar që e shoqëronte, Bardhyl Pollo. Asokohe Hajdari akuzoi për ngjarjen drejtpërdrejtë Haklajt dhe strukturat shtetërore.

“Nuk kanë pas ndonjë motiv, ndonjë gjë pse ti bënin atentat Azemit”, – tregon Zylfije Haklaj, motra e Haklajve.

Kjo ngjarje, si shumë të tjera në këtë histori nuk u zbardh nga drejtësia.
Autoriteti i padiskutueshëm i Fatmir Haklajt deri në instancat e larta shtetërore kishte shqetësuar së tepërmi Azem Hajdarin. Pasi i shpëtoi një atentati në Bajram Curri ai tashmë ndihej i rrezikuar. Më 2 Shtator të vitit 1998, ai bën një lëvizje për tu pajtuar me Haklajt.

“Baba kishte shkuar në Tiranë për punë personale dhe disa persona i kishin treguar Azem Hjadarit që Muharremi është në Tiranë, dhe ai kishte dërguar persona i kërkoi takim”, – tregon Zylfije Haklaj, motra e Haklajve.
Muharremi futet në selinë e Partisë Demokratike, vizitë që tërhoqi vëmendjen. Takimi u zhvillua kokë më kokë. Plaku i Haklajve deklaroi pas disa vitesh se Azemi i ishte shfajësuar për vrasjen e Shkëlqimit në Qafë Luzhë.

“Azemi është shfajësuar, që nuk kam lidhje në vrasjen e Shkëlqimit, por autori është këtu në zyrën e PD, duke ia dedikuar Sali Berishës. Azemi i ka dhënë babait kasetën e mitingut të vitit 1997”, – tregon Zylfije Haklaj, motra e Haklajve.

Bëhet fjalë për të njëjtin material që Shkëlqimi kishte siguruar nga persona brenda Partisë Demokratike fill pas mitingut të qershorit të vitit 1997.

Për këtë takim, i njohur në publik ka qenë vetëm versioni i plakut të Haklajve. Vetë i ndjeri Hajdari nuk ka dhënë detaje sa ishte gjallë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA