Në fund të Janarit të vitit 1999, koloneli Jonuz Hyka emërohet drejtor i Policisë së Kukësit, që mbulonte edhe zonën e Tropojës. Ai ishte me origjinë nga Tropoja. Vëllai i tij, Hasan Hyka kishte qenë kryetar i Partisë Socialiste në Tropojë ndërsa vëllai tjetër Përparim Hyka efektiv i repartit special 77 në Tiranë.

Konflikti i vëllezërve Hyka me Haklajt nisi pasi ata kishin dhënë informacione për ngjarjen ku u vra Azem Hajdari. Përparimi kishte informuar të vëllanë Jonuzin se kishte parë në Tiranë në 12 Shtator Jaho Mulosmanin. Në atë kohë, Jonuzi ishte inspektor i SHIK dhe këto informacione ua dorëzon eprorëve.

Pak ditë pasi Jonuz Hyka u emërua drejtor në Kukës, UNHCR dhuron dy fuoristrada Land Rover, njëra prej të cilave i takonte komisariatit të Tropojës. Por koloneli vendos ti mbajë të dyja vetë. Kur Hyka shkon te familja në Bajram Curri, Jaho Mulosmani i del para në mes të qytetit dhe e nxjerr forcërisht nga makina kolonelin që në fakt ishte shefi i tij. Jaho i merr makinën dhe Jonuz Hyka largohet në këmbë. Ky gjest, u cilësua ofendim i rëndë dhe pasojat do të ishin të mëdha më pas.

Në pranverën e po këtij viti, 1999, Fatmir Haklaj do të rikthehej në polici si shef i grupeve të gatshme në Policinë e Tropojës. Ai siguron një kartelë të pastër penale edhe pse kishte vrarë në mënyrë të hapur në komisariat Shaqir Hoxhën.

Feriz Kërrnaja emërohet shef i Postës së Policisë në Fierzë ndërsa Ylli Haklaj inspektor policie në rrethinat e Bajram Currit. Punësimi i tyre në pika kyçe në polici do ti nxirrte më të ekspozuar ndaj kundërshtarëve. Ti afroheshin Fatmirit në një sulm ballor ishte tepër e rrezikshme dhe më parë nuk kishin pasur rezultat. Kundërshtarët gjetën një mënyrë që për kohën ishte e rrallë. Mëngjesin e datës 6 Maj të vitit 1999, Fatmir Haklaj bie në një pritë me mina të telekomanduara.

Zylfija kujton se në atë kohë, e ka këshilluar të vëllanë të mos shkojë në komisariat, pasi do të ishte e rrezikshme.

“Fatmiri tha do shkoj dhe lajmëron në radion komisariatin, në këtë kohë në valët e radios kishin hyrë persona që vendosën minën në 6 Maj, dhe e kanë dëgjuar bisedën e Fatmiri. Në 6 maj, ora 7 e mëngjesit, Fatmiri bashkë me Eduart Haklajn, Sami Kërrnajën, Shpëtim Gjuricin udhëtojnë drejt Bajram Currit dhe në vendin e quajtur varrezat e Sharrës, afër Cërrnicës, bien ne pritë, pritë me mina me telekomandë, vritet Eduart Haklaj, plagoset Fatmiri, Gjurici, Kërrnaja”, – tregon Zylfije Haklaj, motra e Haklajve.

Instancat ligjzbatuese nuk arritën kurrë të zbardhin ngjarjen. Si gjithmonë, ishte vetë Fatmiri ai që zbulonte autorët. Në vendngjarje, ai siguron mbetje të një radioje policie e përdorur për aktivizimin e minave. Përmes informatorëve në Tiranë ai zbuloi se radio e përdorur për shpërthimin ishte tërhequr nga magazina e Ministrisë së Brendshme, nga Drejtoria e Policisë së Kukësit. Kaq mjaftoi që Fatmiri të bënte lidhjen me Jonuz Hykën, të cilin Jaho Mulosmani e kishte poshtëruar duke e nxjerrë me forcë nga makina.

“Ne mendojmë që të gjitha atentatet me mina ndaj vëllezërve dhe njerëzve tanë janë kryer nga Përparim Hyka dhe të tjerë, por edhe vrasja e Fatmirit dhe Yllit është nga Përparim Hyka. Ne kemi të dhëna që këto mina janë blerë në Serbi e janë sponsorizuar nga Sali Berisha”, – tregon Zylfije Haklaj, motra e Haklajve.

Hyka, ishte një prej efektivëve më të aftë të forcave speciale. Nga mënyra e organizimit të atentatit dhe provat e siguruara, Fatmiri arriti në konkluzionin se ai ishte njeriu kryesor i pritës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA