“Show”/ OFL i nisi formularin, reagon avokati i Emiljano Shullazit: Klienti im s’ka asgjë për të fshehur

11/02/2020 13:27

Fill pasi Operacioni Forca e Ligjit bëri me dijeni se i ka nisur formularin Emiljano Shullazit për të justifikuar pasurinë e tij brenda 48 orësh, ka reaguar avokati i tij, Vladimir Meçe.

“U njoha me lajmin që OFL i ka dërguar klientit tim kërkesë për të paraqitur deklaratë mbi pasuritë….Sipas meje është një “show”, sikundër ka rezultuar edhe në ndonjë rast të mëparshëm….Në dijeninë time, pasuria e klientit tim e ka kaluar sitën e ligjit Antimafia dhe ai nuk ka rezultuar me pasuri të paligjshme, produkt i ndonjë vepre penale apo të pajustifikuar nga burime të ligjshme”, u shpreh Meçe.

Më tej shtoi:

“Pavarësisht zhurmës mediatike që po e shoqëron procesin kundër tij, pothuajse prej 4 vjetësh, proces ky i montuar, ku janë shkelur të gjitha parimet mbi të cilat ngrihet një proces i rregullt penal, klienti im nuk zotëron pasuri të paligjshme, madje nuk zotëron pasuri veç banesës së tij dhe një sipërfaqe në një objekt, që është legjenduar si e marrë me dhunë, por që gjithsesi është objekt i shqyrtimit gjyqësor, i cili ende nuk ka përfunduar.OFL- ja përpara se të kërkonte prej tij deklarimin e pasurisë, do ishte mirë të kishte kryer qoftë dhe një verifikim dhe të mos ushqente me zhurmë të panevojshme opinionin publik.”

Për ta përmbyllur me:

“Sipas meje, ky është një ndikim i hapur dhe i paligjshëm në procesin që po zhvillohet në Gjykatën e Posaçme të Apelit per Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar!  Megjithatë, klienti im nuk ka asgjë për të fshehur dhe do t’i përgjigjet OFL-së në kohë dhe në mënyrë të plotë!”

Top Channel