I evakuari amerikan, i infektuar me koronavirus, ishte liruar gabimisht nga spitali

11/02/2020 10:15

Amerikani i parë që ishte evakuuar nga Kina, i cili besohet se ishte i infektuar me koronavirus, ishte liruar gabimisht nga spitali në San Diego pasi rezultatet e para kishin treguar se ai nuk është i infektuar. Kështu thanë zyrtarët lokalë shëndetësorë.

Pacienti arriti në Shtetet e Bashkuara javën e kaluar përmes fluturimit të organizuar nga Departamenti i Shtetit nga Wuhan-i i Kinës dhe ishte shtrirë në spital së bashku me tre persona të tjerë pasi i kishte shfaqur disa simptoma të dyshimta.

Pas testimit fillestar, ishte besuar se asnjëri prej këtyre katër personave nuk është i infektuar me koronavirus. Kështu, ata u liruan nga spitali dhe u dërguan në karantinë 14-ditore në Universitetin e Kalifornisë, shkruan “CNN”.

“Këtë mëngjes, zyrtarët e këshilluan Autoritetin e Shëndetit Publik në San Diego që, pas testeve shtesë, njëri nga katër pacientët është i infektuar me koronavirus”, thuhet në deklaratën e autoriteteve shëndetësore në San Diego.

Një person tjetër u shtrua gjithashtu në spital të hënën pasdite dhe është duke u testuar për koronavirus. Mjekët thanë se dy pacientët ndodhen në gjendje të mirë dhe janë duke shfaqur simptoma minimale.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA