Të paktën pesë persona janë vrarë gjatë një sulmi vetëvrasës, që kishte në shënjestër një akademi ushtarake në Kabul të Afganistanit.
Ministria e Mbrojtjes e Afganistanit i tha Radios Evropa e Lirë se nga shpërthimi kanë vdekur pesë persona, por zëdhënësi i ministrisë së Brendshme, Nasrat Rahimi tha se numri viktimave është gjashtë.
Në mesin e të vrarëve janë katër pjesëtarë të ushtrisë dhe dy civilë.
Rahimi tha se 12 persona të tjerë u plagosën, përfshirë pesë civilë.
Asnjë grup nuk mori përsipër përgjegjësinë për sulmin, i cili ndodhi rreth orës 7 të mëngjesit sipas kohës lokale, derisa punonjësit dhe kadetët po hynin në akademi.
Akademia ka qenë cak i disa sulmeve në të kaluarën, përfshirë një sulm në maj të vitit të kaluar, përgjegjësinë e të cilit e mori grupi ekstremist Shteti Islamik (IS).
Sulmi i fundit vjen ndërsa negociatorët amerikanë dhe talibanët po përpiqen të arrijnë një marrëveshje të mundshme paqeje, për t’i dhënë fund luftës gati dy dekadëshe.
Presidenti i Afganistanit, Ashraf Ghani, e quajti sulmin “një krim kundër njerëzimit” dhe përsëriti thirrjen e tij për një armëpushim mbarëkombëtar.
Mijëra të vdekur në përpjekjet për rindërtimin e Afganistanit
Aktivitetet e rindërtimit dhe të stabilizimit në Afganistan kanë lënë 5.135 njerëz të vrarë ose të plagosur, gjatë një periudhe prej 17 vjetësh pas pushtimit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në vitin 2001.
Sipas një raporti të Inspektorit të Përgjithshëm të SHBA-së për Rindërtimin në Afganistan (SIGAR), 2.214 njerëz janë vrarë gjatë realizimit të projekteve kryesisht të udhëhequra nga SHBA-ja, për të rindërtuar vendin.
SIGAR, që monitoron shpenzimet prej miliarda dollarësh të cilat Uashingtoni i shpenzon në vendin e shkatërruar nga lufta, tha se vdekjet ishin rezultat i sulmeve të talibanëve dhe grupeve tjera militante nga viti 2002 deri më 2018.
Hulumtimi gjithashtu identifikon 1.182 individë që ishin rrëmbyer ose u zhdukur, gjatë kësaj periudhe.
Më shumë se 70 për qind e të vrarëve ose të plagosurve dhe rreth 86 përqind e atyre që janë rrëmbyer ishin afganë, kryesisht civilë, sipas raportit të titulluar “Kostoja njerëzore e rindërtimit”.
Vdekjet përfshijnë 284 amerikanë, civilë dhe ushtarakë.
Top Channel