Autoritetet e Malit të Zi nuk e kanë lejuar që të futet brenda territorit të shtetit të tyre, Ministrin e Mbrotjes të Serbisë, Aleksander Vulin dhe delegacionin ushtarak që e shoqëronte, meqenëse mbanin të veshura uniforma të ushtrisë serbe.
Siç raportohet zhvillimi ka ndodhur në rrugën Rovc-Kolashin, ku ministri serb do të vendoste kurora lulesh tek monumenti i ish-ministrit serb të Mbrojtjes, Pavle Bullatoviç, i cili ishte vrarë në vitin 2000.
Vulin gjithashtu kishte planifikuar të merrte pjesë në një liturgji në Manastrin Kostrikovaqa.
Autoritete malazeze fillimisht kishin lëshuar leje që delegacion i Ministrisë së Mbrotjes të mund të hyjë brenda Malit të Zi edhe me uniforma, megjithatë mbrëmjen e të hënës i kishin telefonuar ambasadorit serb në Podgoricë, Vladimir Bozovic, për një takim urgjent, duke i thënë se leja për uniforma nuk ishte më e vlefshme.
Kjo ndalesë vjen pas një sërë përplasjesh që kanë tensionuar raportet e Podgoricës zyrtare me Beogradin.
Top Channel