Top Channel mëson se një nga të piketuarit e sotëm të OFL që i është dërguar formulari është Bardhok Pllanaj, banues në Koplik, Shkodër, i dënuar në Belgjikë për trafik të qenieve njerëzore.

Bardhok Pllanaj, njihet si një biznesmen me reputacion në qytetin verior dhe me lidhje të forta politike.

Ai është arrestuar në 2018 pasi kishte një palllat 10-katësh, që 44-vjeçari e kishte ndërtuar pa lejen e organeve kompetente në lagjen “Dobraç”.

Emri i Pllanajt do të lakohej për herë të parë në vitin 2014, gjatë operacionit policor “Laguna e Vilunit”, ku u sekuestruan gati një ton hashash. Shtatë persona u arrestuan, por Pllanaj arriti t’i shmangej kapjes.

Sipas Partisë Demokratike në atë kohë, për t’iu shpëtuar prangave, trafikanti u fsheh në automjetin e ish-deputetit Mark Frroku, por ky i fundit mohoi akuzat. Sipas burimeve policore, Gjykata e Krimeve të Rënda kishte vendosur për Pllanajn masën e “arrestit me burg” për trafik narkotikësh, edhe në maj të vitit 2017, por në rrethana të paqarta rezulton që kjo masë të jetë shuar 2 muaj më vonë.

Top Channel