Amarda nga Gjirokastra gjeti një shpend të plagosur ndërsa shëtiste në mbrëmje buzë liqenit të Viroit por edhe shumë qytetarë të tjerë janë dëshmitarë të të shtënave me çifte prej shumë muajsh.
Shpendi i plagosur i njohur si çafka e natës është një ndër më të veçantët mbi pellgjet e luginës. Veterineri që kreu një ndërhyrje disa orëshe për të stabilizuar gjendjen e tij thotë se çafka është qëlluar me armë zjarri.
Gjuetia e paligjshme pavarësisht moratoriumit në fuqi është duke dëmtuar shumë specie të mbrojtura në luginën e Drinos dhe habitatin natyror përreth saj. Amatorët e gjuetisë thjesht për tu stërvitur janë duke shënjestruar edhe speciet e shpendëve që nuk janë objekt i zakonshëm i gjuetisë. Kjo lloj gjuetie ndodh sidomos pranë pellgjeve ujore dhe objektiv janë shpendët dimërues të ujit, llojet e çafkave dhe kredhësit. Fakti që speciet mbikqyren prej AZM vetëm në territoret e mbrojtura bën që territoret pa status mbrojtjeje të synohen më shumë prej gjuetarëve. bashkia e qytetit është në pritje për të marrë më shumë kompetenca por kjo situatë e papërcaktuar çon në mungesën e masa ndëshkuese prej institucioneve.
Gjuetia vijon të jetë aktive gjatë gjithë kësaj periudhe jo vetëm për shpendët e ujit por gjithashtu për derrin e egër, lepurin, kaprollin dhe thëllëzën.
Top Channel