“Nga sot do flemë në shkallët e morgut”,- kështu kanë thënë ditën e sotme në një lidhje Skype me emisionin Ftesë në 5 me Bieta Sulon, Fatbardh dhe Suela Rexha, vëllai dhe motra e Mentor Rexhës.
Të vendosur në Francë prej disa ditësh ata vazhdojnë të kërkojnë me këmbëngulje kthimin në Shqipëri të trupit të pajetë të vëllait të tyre. Mentor Rexha humbi jetën më 31 janar në një burg në Francë.
Sipas autoriteteve franceze, 36 vjeçari është vetëvrarë, ndërsa gjatë komunikimit live me Bieta Sulon në studion e Ftesë në 5, vëllai dhe motra e Mentor Rexhës kanë thënë se pretendojnë të kundërtën, pasi sipas tyre vëllai i tyre ka shenja të në trup që tregojnë se ai është dhunuar. Për të vërtetuar fjalët e tyre Fatbardh dhe Suela Rexha i kanë bërë foto trupit të pajetë të të vëllait.
Sipas vëlla e motër, ndihma nga institucionet ka qenë minimale dhe ambasadori ynë në Francë nuk ka treguar përkushtimin e duhur për t’iu gjendur pranë në këtë fatkeqësi.
Prej ditësh familja Rexha ka hapur dyert e mortit në Shkodër, ku familjarët janë duke vajtuar pa praninë e trupit, ndaj dhe Suela e Fatbardh Rexha apeluan për ndihmë nëpërmjet “Ftesë në 5”. Ata kërkojnë mbështetje për sjelljen e trupit të pajetë të vëllait të tyre në Shqipëri. Gjatë bisedës Suela e Fatbardhi treguan se deri më sot kanë ndenjur në hotel, por tashmë nuk mund të qëndrojnë më atje e ndaj zgjidhja e vetme është pritja në shkallët e morgut.
Top Channel