Muhamed Veliu: Në këtë vend 6 oficerë të gardës së republikës pjesë e eskortës të kryeministrit Edi Rama, në mënyrë të befasishme i janë afruar shtetasit Vladimir Gjuta duke e shtrirë në tokë. Momentin kur oficerët e gardës e kanë bërë neutraizimin e Gjutës, një emër i njohur i botës së krimit, atij i ka rënë nga brezi, një armë tip pistoletë.
Gjithçka ka ndodhur rreth orës 8:45 vetëm 15 minuta pasi kryeministri Edi Rama kishte mbërritur në selinë e PS për të drejtuar mbledhjen e kryesisë.
Top Channel ka mësuar se një prej oficerëve të gardës në rrolin e vëzhguesit, ka identifikuar Vladimir Gjutën që mbante një kapele dhe një çantë krahu.
Oficeri gardës ka njoftuar kreun e grupit të sigurimit të kryeministrit, që ka urdhëruar kontrollin e Gjutës për vetë rrezikshmërinë që ai shfaq.
Tre oficerë të gardës i janë afruar nga mbrapa dhe tre të tjerë në të njëjtën kohë nga përpara, duke e rrethuar në mënyrë të papritur.
Gjuta ka qenë në posedimi e një arme dhe një sasie të konsiderueshme valute.
Kjo foto ekskluzive e Top Channel tregon se në çantën e Gjutës janë gjetur 120 mijë euro, dollarë dhe një sasi stërlinash britanike.
I është sekuestruar edhe arma tip pistoletë, një karikator si dhe 22 fishekë pistolete bashkë me një dorezë hekuri, që përdoret për të shkaktuar dëmtime në trup.
Ndërsa kjo foto tjetër ekskluzive siguruar nga gazetarja Anila Hoxha, tregon momentin kur 40 vjeçari Vladimir Gjuta, është fotografuar në ambientet e drejtorisë se policisë Tiranë.
Ndaj tij do të rëndojnë akuzat për armëmbajtje pa leje dhe pastrim parash.
Burime policore në rruge jo zyrtare i deklaruan Top Channel se Gjuta pas ndalimit ka dhënë shpjegime përpara oficerëve të policisë gjyqësore, se ndodhej atje për të këmbyer valutën në lekë.
Policia ka sekuestruar të gjitha kamerat e sigurisë për të mësuar se me çfarë, makine ka mbërritur përpara selisë së PS, kohën ekzakte të mbërritjes dhe se kush e shoqëronte.
Burime policore deklaruan se në të shkuarën kur Vladimir Gjutën, e kanë pasur në vëzhgim ai asnjëherë nuk lëvizte vetëm por i shoqëruar nga tre persona.
Vladimir Gjuta u arrestua si i akuzuar për vendosjen e një sasie tritoli farmacisë së babait të Saimir Tahirit atë kohë ministër i Brendshëm.
Gjuta do te arrestohej disa javë më parë, pasi kishte goditur, një kushëri të tijin por gjykata e apelit Tiranë e la të lirë.
Top Channel