Kukësi mposht Laçin dhe rimerr kreun, Skënderbeu shpërdoron shumë

08/02/2020 18:48

Kukësi ka bërë detyrën ndaj Laçit, të cilin e ka mposhtur me rezultatin 3- me përmbysje dhe i ka rimarrë kryesimin e renditjes Tiranës, pas më pak se 24 orësh, duke u ngjitur në kuotën e 42 pikëve pas 21 javëve.

Verilindorët vuajtën në minutat e para përballë kurbinasve, ndërsa ishin këta të fundit që kaluan të parët në avantazh në minutën e 36’ me anë të goleadorit kryesor Kyrian Nwabueze, i cili i dha fund “agjërimit” të javëve të fundit.

Megjithatë reagimi i Kukësit ishte mjaft i mirë dhe vetëm dy minuta më vonë ishte Kristal Abazaj që shënoi në portën e kurbinasve dhe riktheu sërish baraspeshën në “Elbasan Arena”.

Në pjesën e dytë verilindorët shënuan edhe dy herë të tjera, fillimisht me anë të sulmuesit kryesor Vasil Shkurtaj dhe më pas me anë të fantazistit Valon Et’hemi, duke vulosur suksesin final me shifrat 3-1.

Skënderbeu luan mirë dhe dominon, por në fund detyrohet të dalë me vetëm një pikë nga ndeshja në shtëpi përballë Bylisit, pasi nuk shkoi më shumë se barazimi 1-1, kjo edhe për shkak të rasteve të shumta të shpërdoruara.

Korçarët patën kontrollin e lojës dhe krijuan disa mundësi, por herë për meritë të portierit mallakastriot Hidi e herë për gabim të sulmuesve bardhekuq, goli i parë do të vinte vetëm në minutën e 69’.

Vetëm dy minuta pasi kishte humbur një mundësi të artë ballë përballë me Hidin, Dejvi Bregu depërtoi në zonë dhe u pengua dukshëm nga Peposhi, ndërsa arbitri akordoi 11-metërsh me bindje, ndonëse nuk i tregoi kartonin e verdhë mbrojtësit ballshiot.

Protesta të lojtarëve të Bylisit, por nga pika e penalltisë shkoi kapiteni Bruno Dita, i cili mposhti me lehtësi portierin Hidi dhe kaloi korçarët në avantazh, ndërsa më pas nuk ngurroi të puthë edhe fanellën, si për t’u dhënë fund zërave për probleme mes tij dhe klubit.

Më pas korçarët krijuan disa mundësi të tjera për të mbyllur ndeshjen, por gabuan dhe në minutën e 86’ erdhi goli i barazimit, me Gaston që përfitoi nga një rreshtim i gabuar i mbrojtjes vendase dhe mposhti portierin Koliçi.

Deri në fund futbollistët e Skënderbeut u hodhën në sulm për golin e fitores, të cilit i shkuan më pranë në sekondat e fundit, pro Gripshi i vetëm me portierin Hidi, bëri më të vështirën, duke gjuajtur topin jashtë kuadratit.

Me këtë rezultat, Skënderbeu shkon në kuotën e 28 pikëve, aq sa ka edhe Vllaznia, ndërsa Bylis mbetet në kuotën e 31 pikëve, por do të duhet të presë akoma për të marrë fitoren e parë në kampionat për vitin 2020.

FOTO GALERI
1/7

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA