Ra akuza për grupin kriminal, reagon Bardhi: Nëse s’heton Bajrat, ekzistenca e SPAK bëhet e panevojshme!

07/02/2020 11:37

Pas rënies së akuzës për grupin e strukturuar kriminal “Bajri”, ku Gjykata e Posaçme për Korrupsion dhe Krimin e Organizuar konstatoi moskompetencën e SPAK-ut në gjykimin e çështjes së këtij grupi, ka reaguar sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi.

Përmes një postimi në Facebook, Bardhi shkruan se nëse SPAK nuk heton Bajrat dhe organizatat të tilla kriminale, nuk heton vjedhjen e votave, nuk heton korrupsionin në rritje të Qeverisë, atëherë ekzistenca e këtij institucioni bëhet e panevojshme!

Postimi i plotë:

“Lufta ndaj krimit të organizuar është prioritet madhor kombëtar për integrimin europian. Ajo nuk bëhet as me propagandë dhe as me regji të orkestruar nga nevoja e Edi Ramës për të mbuluar dështimin. Lufta ndaj krimit të organizuar kërkon vullnet politik dhe institucione të përgjegjshme.

SPAK u krijua me fokus të veçantë luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, por rastet konkrete, po e faktojnë si një shtojcë të Qeverisë në mbrojtjen e zyrtarëve të korruptuar dhe bandave kriminale. Pas refuzimit për të hetuar dosjen e zgjedhjeve në Dibër, refuzimi për të çuar para drejtësisë organizatën mafioze me lidhje shtetërore të Bajrave në Shkodër, është një tjetër provë e dështimit të SPAK. Çdo qytetar shkodran, por edhe partnerët ndërkombëtarë, e dinë se Bajrat janë një organizatë mafioze, përgjegjëse për disa krime të rënda të kryera brenda dhe jashtë vendit.

Nëse SPAK nuk heton Bajrat dhe organizatat të tilla kriminale, nuk heton vjedhjen e votave, nuk heton korrupsionin në rritje të Qeverisë, atëherë ekzistenca e këtij institucioni bëhet e panevojshme!”

GJKKO vendosi që çështjen ta transferojë në prokurorinë e Shkodrës, për të akuzuarit Safet Bajri, Ilir Bajri, Behar Bajri, Astmer Bilali, Ismet Idrizi, Emrah Plaku, Enver Bajri.

Ju kujtojmë se operacioni ndërkombëtar “Oaz” arrestoi brenda një viti, 11 anëtarë të grupit “Bajri”, që akuzohen për gjobvënie të paligjshme, vrasje, trafik droge, pastrim parash, e të tjera. Ndër të tjera, grupi akuzohet për dy vrasje, njëra në 7 shkurt 2001, ku u vra shtetasi A.T., dhe ngjarjen e datës 20 qershor 2002, ku u vra shtetasja F.H., 15 vjeçe.

Safet Bajri, nën akuzë për paracaktim të rezultateve sportive dhe armëmbajtje pa leje në ambient privat ( në arrest me burg), Ilir Bajri nën akuzën për gjobëvënie nën arrest, Ismet Idrizi armëmbajtje pa leje nën arrest, Asmer Bilali paracaktim i rezultateve sportive nën arrest, Emrah Plaku mbajtje pa leje të municioneve, ndërtim pa leje nën arrest shtëpie dhe Behar Bajri nën akuzë vrasje me dashje nën arrest. Gjykata tha që prokuroroa SPAK nuk arriti të provoje që ekziston grupi kriminal, ndaj dhe çështjen duhet ta gjykojë gjykata e Shkodrës.

Avokati Arbër Hoxhaj tha për gazetaren Anila Hoxha se “e vetmja gjë që u provua është që shumica e tyre jane pjesë e familjes Bajri dhe jo pjesë e një grupi. Sot ishte seanca e inicuar nga mbrojtja me qëllim dhënie informacioni për hetimet e deritanishme. Prokurorët nuk sollën asnjë të dhënë që faktonte qëndrimin e tyre siç e kanë bërë publik gjate operacionit se bëhet fjalë për grup të strukturuar kriminal.”

Ndërkohë avokati Sokol Tahiraj deklaroi për Top Channel se “pas këtij vendimi presim nga prokuroria e Shkodrës përfundimin e hetimeve dhe për rrjedhim lirimin e klientëve, pasi koha e paraburgimit është më e madhe se ajo e dënimit të parashikuar për vepra të lehta si bastet sportive apo ndërtim i paligjshëm”.

Top Channel